Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po përgatit rrugën drejt shkallës së dytë, ndërsa afati për njoftimin e apelit nis me dorëzimin e aktgjykimit me shkrim. Paralelisht, dënimet po kritikohen nga një dëshmitar i mbrojtjes dhe nga studiuesi amerikan Edward P. Joseph.

Beteja gjyqësore e katër ish-krerëve të UÇK-së nuk mbyllet me aktgjykimin e shkallës së parë. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë vendimin sapo t'u dorëzohet aktgjykimi i plotë me shkrim, duke pretenduar se në të ka mangësi dhe baza të mjaftueshme për shkallën e dytë.
Kryembrojtësi i Thaçit, Luka Mishetiq, i cili gjatë procesit ka ngritur vazhdimisht pretendime për probleme me drejtësinë procedurale dhe për njëanshmëri të trupit gjykues, ka deklaruar: "Mbrojtja do ta paraqesë zyrtarisht njoftimin për Apel, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale pranë Panelit të Apelit." Të njëjtën rrugë kanë paralajmëruar edhe ekipet mbrojtëse të Veselit, Selimit dhe Krasniqit, të cilat e kanë kundërshtuar vendimin menjëherë pas shpalljes.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë sqaruar kalendarin që i pret palët. Mbrojtja dhe Prokuroria kanë 30 ditë nga marrja e aktgjykimit me shkrim për të paraqitur njoftimin për apel, ku duhet të përcaktohen edhe bazat mbi të cilat kundërshtohet vendimi. Nëse apeli paraqitet, Presidenti i Dhomave të Specializuara cakton një trup gjykues prej tre gjyqtarësh.
Pastaj nis afati i gjatë i parashtresave: pala apeluese ka 60 ditë për të dorëzuar parashtresën e plotë me argumentet, pala kundërshtare ka 30 ditë për përgjigje dhe apeluesi edhe 15 ditë të tjera për t'iu kundërpërgjigjur. Kur apelohet vetëm dënimi, këto afate janë më të shkurtra. Pas mbylljes së parashtresave, Trupi Gjykues i Apelit mund të caktojë një seancë dëgjimore nëse e sheh të nevojshme, ndërsa gjatë procedurës mund të paraqiten edhe kërkesa për pranimin e provave të reja. Në fund, gjyqtarët hyjnë në deliberim dhe, sipas Dhomave të Specializuara, aktgjykimi i Apelit shpallet brenda 60 ditësh nga dorëzimi i parashtresës së fundit, përveç rasteve kur rrethanat kërkojnë zgjatje. Paneli mund ta vërtetojë, ta rrëzojë ose ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë.
Ndërkohë, arsyetimi i vendimit është vënë në shënjestër nga Paul Williams, jurist amerikan dhe dëshmitari i dytë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili në vitin 1999 shërbeu si këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat e Rambujesë. "Jam thellësisht i zhgënjyer nga aktgjykimi. Kam dëshmuar në mbrojtje, prandaj dua të jem transparent lidhur me këndvështrimin tim. Sipas mendimit tim, Trupi Gjykues ka përdorur një teori jashtëzakonisht të gjerë të përgjegjësisë penale kolektive dhe e ka përdorur atë për të kapërcyer boshllëqe të konsiderueshme ndërmjet krimeve të kryera në terren dhe përgjegjësisë individuale të katër figurave të larta politike dhe ushtarake", ka thënë ai.
Williams thekson se shqetësimi i tij nuk është kohëzgjatja e dënimeve, por rruga juridike deri te ato. "Dënimet janë të rënda: 25 vjet për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, 18 vjet për Kadri Veselin dhe 13 vjet për Rexhep Selimin. Por shqetësimi im kryesor nuk është numri i viteve. Është arsyetimi juridik që e çon Dhomën deri te këto dënime. Drejtësia penale ndërkombëtare synon individualizimin e fajësisë. Ajo nuk duhet të shndërrohet në një mekanizëm përmes të cilit pozita drejtuese, retorika politike, përkatësia institucionale dhe njohuria për krimet grumbullohen gradualisht si zëvendësim për provat se një individ ka qenë pjesë e një marrëveshjeje për një qëllim kriminal", ka deklaruar ai.
Ai ndalet edhe te një pjesë e vendimit që, sipas tij, është nënvlerësuar: "Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Trupi Gjykues i hodhi poshtë të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi prokuroria nuk arriti të dëshmonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të drejtuar kundër një popullsie civile. Kjo nuk është një pjesë e parëndësishme e çështjes së prokurorisë që thjesht u rrëzua; është një kufizim i rëndësishëm i narrativës së paraqitur nga prokuroria."
Për konstatimet e gjykatës mbi rolin dhe autoritetin e Thaçit dhe të udhëheqjes së UÇK-së, Williams është përgjigjur shkurt: "Jo. Ato nuk përputhen plotësisht me atë që kam vërejtur personalisht në Rambuje." Ai e përshkruan UÇK-në si një lëvizje të fragmentuar, me personalitete, grupe interesi, komandantë dhe qendra të ndryshme ndikimi, duke argumentuar se Thaçi ishte figurë e rëndësishme politike, por se rëndësia politike nuk është e njëjtë me kontrollin efektiv. Sipas tij, zbatimi i gjerë i doktrinës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale mund ta mjegullojë kufirin mes përgjegjësisë individuale dhe fajësisë për shkak të përkatësisë, ndërsa shton se dëshmia e tij lidhej me atë që ka vërejtur personalisht dhe se nuk pretendon njohuri për gjithçka që ndodhi në Kosovë.
Kritika vjen edhe nga Edward P. Joseph, studiues dhe ligjërues në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit "Johns Hopkins" në Uashington D.C., i cili në një intervistë për "Kallxo Përnime" e ka quajtur shqetësuese lartësinë e dënimeve. Sipas tij, zhgënjimi në Kosovë është i kuptueshëm, pasi aktgjykimi mund të krijojë përshtypjen se përbën një akuzë ndaj vetë UÇK-së dhe luftës së saj kundër represionit serb gjatë viteve '90.
"Dhe kjo përshtypje është shumë e qartë. Dhe së fundi, kur e kemi kontrastin me Beogradin që vetëm pak kohë më parë, po i shprehte mirënjohjen dhe nderonte kriminelin më të keq të luftës në ish-Jugosllavi, gjeneralin Ratko Mlladiq. Dhe më pas, ky në njëfarë mënyre, ky vendim që shfaqet për serbët në Beograd si një lloj shfajësimi apo çlirimi, duke hedhur baltë në realitetet e viteve 1990 në Kosovë. Kështu që më duket shumë shqetësuese", ka thënë Joseph.
Ai paralajmëron se Serbia dhe mbështetësit e saj në Rusi e në Kinë do ta shfrytëzojnë dënimin për të përhapur narrativën e tyre dhe i porosit opinionin në Kosovë të tregohet i kujdesshëm. "Është shumë mirë që Marta Kos është nga Sllovenia, për dallim nga ndonjë vend tjetër që nuk ka pasur lidhje me ish-Jugosllavinë, sepse nga brenda, jam i sigurt që Marta Kos e kupton këtë", është shprehur ai.
Për shanset në shkallën e dytë, Joseph e krahason situatën me rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, i dënuar fillimisht nga Tribunali i Hagës dhe më pas i liruar në Apel. Ai thekson se rastet nuk janë identike, pasi Gotovina u gjykua nga ICTY, ndërsa ish-drejtuesit e UÇK-së po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Një ngjashmëri, sipas tij, është prania e avokatit Luka Mishetiq, i cili kishte mbrojtur edhe Gotovinën. Si faktor shqetësues ai përmend historikun e ankesave në proceset e Dhomave të Specializuara, ku deri tani ankesat e Prokurorisë kanë pasur më shumë sukses sesa ato të mbrojtjes.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan nga Gjykata Speciale më 16 shtator 2026, vendim që po përcillet me protesta të përditshme në Kosovë. Thaçi mori 25 vjet burgim, i shpallur përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë; Jakup Krasniqi u dënua po ashtu me 25 vjet për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme; Kadri Veseli me 18 vjet për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme; ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet, i shpallur fajtor për trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

