Avokatë, ish-deputetë dhe kryeministri Albin Kurti dalin me plane të veçanta për fazën e apelit pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së: nga harmonizimi i ligjit të Gjykatës Speciale me Kushtetutën, te hapja e arkivave të NATO-s, OSBE-së dhe aleatëve perëndimorë.

Dënimi me gjithsej 81 vjet burgim i katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka hapur në Kosovë një debat të shpejtë për atë çka mund të bëhet para se çështja të kalojë në shkallën e dytë. Aktgjykimi për krime lufte u shpall të mërkurën në Hagë. Që atëherë, në Prishtinë protestat po mbahen çdo ditë.
Propozimet që po qarkullojnë ndahen në tri linja: ndryshime ligjore, forcim i ekipeve mbrojtëse dhe angazhim diplomatik.
Avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara, Betim Shala, ka ngritur çështjen e përputhshmërisë së ligjit me të cilin është themeluar Gjykata Speciale me Kushtetutën e Kosovës dhe me parimet e së drejtës penale, duke kërkuar harmonizimin e dispozitave. "Konsideroj që një mori dispozitash që janë në ligjin me të cilin janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria Speciale me seli në Hagë, ka bajagi dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën e në anën tjetër nuk janë në harmoni edhe me parimet kryesore të së drejtës penale, si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare", ka thënë Shala. Ai kërkon njëkohësisht zgjerimin e ekipeve të mbrojtjes, në mënyrë që rasti të përgatitet dhe të përfaqësohet në procedurat e apelit.
Avokati Skënder Musa e çon kërkesën më tej, te vetë linja e llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë. "Është koha dhe momenti që kjo Gjykatë t'i japë llogari Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe prokurorët specialë t'i japin përgjegjësi Këshillit Prokurorial të Kosovës", është shprehur Musa, duke propozuar ndryshime në kuadrin ligjor që rregullon funksionimin e këtyre institucioneve.
Ish-deputeti Ilir Deda e vendos hapin e parë në rrafshin politik: një marrëveshje për stabilizimin institucional të vendit, pas së cilës, sipas tij, mund të ndërmerren hapat e tjerë. Ai kërkon rritjen e fondit për ekipet e mbrojtjes dhe angazhimin e një grupi të pavarur ekspertësh ndërkombëtarë që do të analizonte aktgjykimin dhe dosjen e gjykimit në bashkëpunim me mbrojtjen.
Pjesa më e drejtpërdrejtë e propozimit të Dedës prek arkivat e huaja. "Përmes kanaleve diplomatike duhet të kërkohet nga NATO-ja, OSBE-ja dhe ish-Misioni Verifikues në Kosovë, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet e tjera të përfshira gjatë luftës që t'i hulumtojnë arkivat e tyre dhe, kur është e mundshme, t'i deklasifikojnë apo t'ia dorëzojnë mbrojtjes dokumentet relevante", ka thënë ai.
Në krye të qeverisë, sinjali është për një qasje të koordinuar. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar hartimin e një strategjie shtetërore për reagimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë. "Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm", ka thënë Kurti.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

