Deputeti i Listës Serbe Sllavisha Simiq e quajti Kuvendin e Kosovës "parlamenti i Prishtinës" dhe foli në emër të "popullit serb", por kësaj radhe seanca nuk u ndërpre nga kryetarja Albulena Haxhiu. Pas një vargu propozimesh të rrëzuara, nënkryetare u zgjodh Tanja Vujoviq me 62 vota.

Në sallën e Kuvendit të Kosovës e njëjta formulë që javë më parë kishte ndalur seancën, këtë herë kaloi pa u ndërprerë. Duke propozuar kandidatin e radhës për nënkryetar, deputeti i Listës Serbe, Sllavisha Simiq, iu referua institucionit si "parlamenti i Prishtinës" dhe foli në emër të "popullit serb".
"Deputetët nga radhët e komunitetit të popullit serb që e përfaqësojnë popullin serb këtu në parlamentin prishtinas, si kandidat për nënkryetar e propozojnë z. Igor Simiqin", tha ai.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ndërhyri dhe nuk pati kundërshtime nga ajo gjatë seancës. Kjo është një sjellje e ndryshme nga seanca e 9 shtatorit, kur Haxhiu kishte reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili, duke propozuar Slavko Simiqin për nënkryetar, tha se propozimi bëhet "në emër të popullit serb". Haxhiu e kishte cilësuar atëherë deklaratën si të papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke kërkuar tërheqjen e saj, dhe seanca ishte ndërprerë.
Këtë radhë seanca vazhdoi dhe Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër. Pas dy dështimeve radhazi, Lista Serbe ndryshoi propozimin, por lista e emrave të rrëzuar u zgjat: Liljana Stefanoviq nuk i mori votat e nevojshme, as propozimi i katërt, Srdjan Popoviq. Pas tyre mbetën pa vota edhe Branislav Nikoliq, Jovana Radosavleviq, Milan Joksimoviq dhe Zlatan Elek.
Bllokada u zhbllokua vetëm në fund: Vetëvendosje, pasi kishte votuar kundër disa propozimeve të Listës Serbe, votoi për deputeten e kësaj partie, Tanja Vujoviq. Ajo u zgjodh nënkryetare e Kuvendit me 62 vota për, gjashtë kundër dhe tri abstenime.
I pyetur pse gjuha e përdorur në sallë nuk u kundërshtua, deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, e kaloi çështjen te organet e ndjekjes. "Nuk mendoj se u tolerua, po besoj se e patë se ne votuam kundër. Sa i përket fjalëve që dikush mund t'i thotë aty për aty, ne nuk e kemi në kontroll. Për këtë gjë duhet të merreshin organet e rendit, prokuroria", tha ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

