Një ditë pasi ambasada amerikane në Kosovë udhëzoi stafin të shmangë vendet ku pritet të zhvillohen demonstrata më 16 shtator, ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, thotë se nuk ka arsye për alarm: sipas tij, bëhet fjalë për procedurë standarde sigurie para një vendimi të madh.

Kosova është në pritje të vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të pritur të mërkurën, 16 shtator, dhe pikërisht për këtë ditë janë paralajmëruar demonstrata. Dje, ambasada amerikane në Kosovë ka paralajmëruar stafin e vet që të shmangë lëvizjet në afërsi të vendeve ku, siç thuhet në njoftim, pritet të mbahen protesta.
Njoftimi i ambasadës ka ngjallur vëmendje publike, por ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, i ka minimizuar përmasat e tij. Duke folur sot në Kosova Live, ai e cilësoi masën si praktikë të zakonshme të institucioneve të sigurisë përballë një procesi me peshë të madhe për vendin.
"Nuk e marr tragjike edhe vetë deklaratën e ambasadës amerikane, që e ka dhanë, e ka dhanë për personelin e vet. Pas çdo vendimi të madh që pritet, dhe është një pritje e gjatë e qytetarëve, institucionet e sigurisë, e kanë procedurë standarde që me i marrë masat. Mos e merrni këtë shqetësuese. Ne po flasim për një proces që është shumë i rëndësishëm për Kosovën, dhe qytetarët e presin një vendim pozitiv. Dhe normal që institucionet e sigurisë, që janë të thirrura për rend, i kanë procedurat e veta që duhet t’i ndërmarrin. I kisha lutur secilin, që mos të bëjnë panikë koti, sepse janë procedura standarde, të rregullta", deklaroi Rama.
Mesazhin e tij ai e përmblodhi shkurt: "Mos të bëhet panikë, është procedurë standarde".
Sa i përket demonstratave, nuk është bërë e ditur numri i tubimeve të paralajmëruara e as vendet konkrete ku pritet të mbahen.
Dita e vendimit në Hagë pritet të shoqërohet me një vëmendje të gjerë publike në Kosovë. Në Prishtinë, Komuna ka vendosur që nesër, në orën e parë të mësimit, mësimdhënësit t’u flasin nxënësve për UÇK-në dhe historinë e luftës për çlirimin e Kosovës. Drejtoria e Arsimit ka theksuar në vendimin e saj se "qëllimi i këtij vendimi është që nxënësit të njihen me historinë e afërt të vendit dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e lirisë, paqes dhe kujtesës historike".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

