Ndërsa Ambasada e SHBA-së në Prishtinë paralajmëron demonstrata të mëdha ditën e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thotë se nuk pret asnjë përkeqësim dhe u bën thirrje veteranëve për përmbajtje.

Dy ditë para shpalljes së aktgjykimit në Dhomat e Specializuara në Hagë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) u ka bërë thirrje anëtarësisë së vet për qetësi, duke thënë se nuk ka indikacione për përkeqësim të situatës në Kosovë më 16 shtator.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka theksuar se organizata nuk disponon informacione për ndonjë rrezik shtesë. "E kemi parë reagimin e Ambasadës Amerikane, kjo ka ndodhur në bazë të një analize të tyre. Si OVL, nuk kemi ndonjë informacion të mundshëm për ndonjë përkeqësim të situatës. Duhet ta dinë se ushtarët e UÇK-së janë edhe ushtarë amerikanë, prandaj ne nuk e shohim ndonjë përkeqësim apo incident, po flas në emër të atyre që përfaqësojmë. Sa i përket Policisë, kjo është punë e tyre. Ne u kemi bërë thirrje veteranëve që të jenë të qetë dhe të përmbajtur", ka thënë ai në një deklaratë për KosovaPress.
Thirrja vjen pas paralajmërimit për sigurinë të lëshuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, sipas të cilit më 16 shtator priten demonstrata të mëdha. Ambasada ka këshilluar personelin e Qeverisë amerikane të shmangë udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.
Syla ka kërkuar qetësi edhe nga komuniteti serb në Kosovë. Sipas njoftimeve të tij, ky komunitet kishte kërkuar që festën e unitetit kombëtar serb ta zgjasë edhe më 16 shtator. "Ne kemi edhe një informatë tjetër që më 15 shtator, Serbia ka një ditë të vetën të flamurit dhe do të festojnë dhe ka informata që ata do ta zgjasin pak festën më tutje dhe prandaj nuk shohim nga ana jonë ndonjë provokim të situatës. Nëse do të ketë diçka, do të ishte mirë që edhe serbët e Kosovës të jenë të qetë në këtë ditë. As ata nuk duhet ta provokojnë situatën, eventualisht nëse do të ketë vendim negativ. Çdo vendim tjetër, për ne, do të jetë i papranueshëm dhe do ta kundërshtojmë sa na lejon ligji dhe kushtetuta e vendit tonë, por jo ta dëmtojmë këtë shtet… Nuk ka vendim gjyqësor që mund ta shpallë UÇK-në organizatë kriminale", ka deklaruar Syla.
Njëkohësisht, nënkryetari i organizatës së veteranëve ka bërë të ditur se për OVL-UÇK nuk do të jetë i pranueshëm asnjë vendim tjetër përveç lirimit të katër të akuzuarve, duke shtuar se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta shpallë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë kriminale.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallin aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Të katërt janë të akuzuar dhe presin vendimin e gjykatës.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

