Ministria e Mjedisit ka vënë gjoba për gjendjen me mbeturina në kryeqytet, të cilën ministrja Fitore Pacolli e quan rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve. Kush u gjobit dhe me sa, ende nuk është bërë publike.

Mbeturinat në rrugët e Prishtinës janë kthyer në çështje gjobash. Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se institucionet përgjegjëse për gjendjen në kryeqytet janë ndëshkuar me gjoba, pas një inspektimi të kryer nga inspektorati i ministrisë që ajo drejton.
"Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka inspektuar situatën në Prishtinë dhe ka konstatuar një gjendje të rëndë, e cila po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e popullatës. Për këtë katastrofë mjedisore, janë shqiptuar gjoba ndaj institucioneve përgjegjëse", ka shkruar Pacolli në njoftimin e saj.
Ministrja nuk ka bërë të ditur se cilat institucione u gjobitën saktësisht dhe as shumën e gjobave.
Pas njoftimit për ndëshkimin erdhi kritika politike. Pacolli e vendosi problemin në nivelin e qeverisjes lokale dhe hodhi poshtë përplasjen e ndërsjellë të përgjegjësive mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes publike që merret me mbeturinat. "Menaxhimi i mbeturinave është detyrimi më bazik që një qeverisje lokale duhet ta zgjidhë. Hedhja e fajit ping-pong mes Komunës dhe ndërmarrjes publike është thjesht një tentativë për të fshehur paaftësinë", deklaroi ajo.
Shënjestër e drejtpërdrejtë u bë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. "Nëse Kryetari Përparim Rama dhe i gjithë zinxhiri i tij menaxhues dështojnë në këtë detyrë kaq elementare, atëherë qytetarët me të drejtë pyesin se cili është funksioni i këtij pushteti", tha Pacolli.
Ministrja kërkoi llogaridhënie të plotë nga kushdo që ka dështuar në detyrë. "Neglizhenca nuk mund të normalizohet. Kushdo që nuk i kryen detyrat dhe i lë qytetarët të përballen me këtë rrezik, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, pa pasur mundësi t’i shmanget asaj duke e pasuar fajin te tjetri", theksoi ajo.
Pacolli e mbylli deklaratën me një paralajmërim për të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë: "Ligji do të zbatohet, ndërsa dështimi do t’u faturohet të gjithë atyre, pa dallim, që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve."
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

