Një ligj i ri i nënshkruar nga Vladimir Putini u pret shërbimet konsullore rusëve në mërgim që kundërshtojnë luftën, ndërsa vendet europiane po vështirësojnë qëndrimin e tyre — duke i lënë mijëra njerëz në një zonë gri juridike.

Ata ikën nga Rusia sepse kundërshtuan luftën në Ukrainë. Tani rrezikojnë të mbeten pa asnjë mbrojtje juridike — as nga vendi që lanë pas, as nga ai që i priti.
Në fillim të këtij muaji, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një ligj të ri që synon rusët që jetojnë jashtë vendit dhe që kundërshtojnë regjimin e tij. Ligji kufizon ofrimin e shërbimeve konsullore për qytetarët rusë të dënuar në mungesë në çështje politike. Praktikisht, personat e dënuar për vepra si shkelja e të ashtuquajturit "ligj për agjentët e huaj" ose "diskreditimi" i ushtrisë ruse nuk do të mund të rinovojnë pasaportat e tyre ruse dhe as të marrin shërbime të tjera thelbësore konsullore.
Sipas Al Jazeera-s, masa mund të prekë mijëra qytetarë rusë. Individët dhe organizatat e etiketuar si "agjentë të huaj" janë tashmë mbi 1.600 dhe numri vazhdon të rritet.
Efekti i ligjit është një lloj i ri "pa-shtetësie de fakto": personat e prekur mbeten qytetarë rusë në letër, por privohen nga mbrojtja dhe shërbimet që supozohet t'i ofrojë shtetësia. Meqë shtetësia nuk u hiqet zyrtarisht, ata nuk do të mund të përfitojnë as nga mbrojtjet e Konventës së vitit 1961 për Reduktimin e Pa-shtetësisë.
Rasti tregohet përmes historisë personale të autorit të tekstit, një aktivist mjedisor dhe politolog rus me origjinë armene, i cili kaloi vetë procesin e heqjes së shtetësisë. Në maj 2022, Rusia nisi procedurat ligjore kundër tij dhe familjes së tij — një nga rastet e para të njohura ku autoritetet ruse kërkuan t'i heqin shtetësinë një personi për shkak të bindjeve politike dhe kundërshtimit të luftës në Ukrainë. Ai kishte ikur nga vendi në mars 2022, pasi ishte arrestuar për protestë kundër luftës.
Pas gati një viti procedurash, vendimi përfundimtar për t'i hequr shtetësinë e tij të vetme u pasua nga ndalimi dhe frikësimi i anëtarëve të familjes, të cilëve iu dhanë tri ditë kohë për të lënë vendin. Ai mbeti pa shtetësi ndërsa jetonte në mërgim në Gjermani, me një ndalim hyrjeje në Rusi për 50 vitet e ardhshme. Falë origjinës armene, arriti të aplikonte dhe të merrte shtetësinë armene — proces që zgjati një vit.
Që atëherë, Rusia ka zgjeruar sistematikisht mekanizmat ligjorë për të ndëshkuar nga jashtë ata që kundërshtojnë regjimin. Në vitin 2023, një ligj i ri për shtetësinë futi dispozita që u lejojnë autoriteteve të ndërpresin shtetësinë e qytetarëve të natyralizuar të dënuar për një gamë të gjerë "krimesh", përfshirë vepra të lidhura me "diskreditimin" e forcave të armatosura ruse, ekstremizmin dhe veprimet e konsideruara kërcënime për sigurinë kombëtare. Si rezultat, që nga tetori 2023 më shumë se 4.500 persona kanë humbur shtetësinë ruse.
Historia ka precedent. Me nisjen e Revolucionit Bolshevik të vitit 1917, qindra mijëra rusë ikën nga vendi dhe shumë prej tyre iu hoq shtetësia nga shteti i sapoformuar sovjetik. Në përgjigje të asaj vale refugjatësh, Lidhja e Kombeve prezantoi në vitin 1922 të ashtuquajturën pasaportë Nansen, një dokument udhëtimi për njerëzit që shteti u kishte mohuar një të tillë. Sistemi i pasaportës Nansen përfundoi në vitin 1942.
Ndërkohë, në anën tjetër, hapësira për rusët në mërgim po ngushtohet. Në Gjermani, një nga destinacionet kryesore për disidentët rusë në arrati, rrugët drejt një vize humanitare tani janë jashtëzakonisht të kufizuara. Qeveria gjermane ka nisur të dëbojë dezertorë ushtarakë rusë drejt vendeve të treta, pavarësisht rreziqeve në rast kthimi në Rusi — disa përfundojnë në burg, të tjerë në vijën e frontit.
Në Finlandë, që nga pushtimi i Ukrainës janë dëbuar më shumë se 1.000 rusë dhe janë refuzuar mbi 1.100 kërkesa për azil. Në shtetet baltike po shtohen kufizimet për qytetarët rusë, përfshirë një ndalim të fundit për blerjen e pronave në Estoni. Në Shtetet e Bashkuara, qeveria vendosi dhjetorin e kaluar një pezullim të pacaktuar të kërkesave për azil dhe ka dëbuar qindra azilkërkues rusë. Në Azinë Qendrore, qeveritë po dëbojnë rusë me kërkesë të Moskës, ndërsa vende si Vietnami dhe Tajlanda ruajnë politika relativisht të hapura hyrjeje, por nuk ofrojnë azil politik.
Sipas autorit, aktualisht nuk ekziston asnjë rrugë e sigurt dhe e garantuar për burrat rusë që refuzojnë të shërbejnë në ushtri dhe që duan të kërkojnë azil jashtë vendit.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

