Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, thotë se veriu është i qetë dhe stabil pasi për disa ditë me radhë policia bisedoi me kryetarët e katër komunave për të parandaluar çdo veprim që mund të lexohej si provokim.

Policia e Kosovës ka kaluar disa ditë në komunikim të drejtpërdrejtë me kryetarët e katër komunave në veri të vendit, me një kërkesë të vetme në tavolinë: as provokime, as festime, as ndonjë veprim që mund të interpretohet si nxitje. Kjo linjë komunikimi u aktivizua në kontekstin e vendimit në Hagë për krerët e UÇK-së.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri është e qetë dhe stabile dhe se policia po zbaton një plan operacional në kuadër të urdhrit operativ për të gjithë vendin.
"Situata e sigurisë në Veri të vendit është e qetë, është stabile, sidoqoftë duke marrë parasysh ngjarjet që kanë ndodhur, ne kemi një plan operacional i cili është në kuadër të urdhrit operativ për krejt policinë e Kosovës. Ne kemi qenë për disa ditë në komunikim me kryetarët e komunave në Veri të vendit, me katër komunat, me kryetarët e komunave me të cilët kemi diskutuar që nuk duhet të ketë provokime, nuk duhet të ketë festime, nuk duhet të bëhet diçka që shihet si provokim në Veri të vendit dhe kjo është duke ndodhur dhe nuk kemi diçka për të theksuar", tha Elshani.
Sipas tij, deri më tani situata është duke u menaxhuar dhe nuk ka ndonjë zhvillim për t'u veçuar. Elshani theksoi se Policia e Kosovës vazhdon monitorimin e situatës dhe zbatimin e planit operacional për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në veri të vendit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

