Veteranët e UÇK-së kërcënojnë të dalin sërish para institucioneve të BE-së në Kosovë nëse ligji i Kuvendit për Gjykatën Speciale nuk zbatohet. Kjo është përgjigjja e tyre ndaj Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila e ka kundërshtuar ligj-ndryshimin.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) paralajmëron rikthimin e protestave masive para institucioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë. Kushti është i qartë: ligji që Kuvendi i Kosovës ka ndryshuar për Gjykatën Speciale duhet të nisë të zbatohet sapo të hyjë në fuqi.
"Ky ligj duhet të zbatohet në plotni dhe nëse nuk fillon zbatimi i tij pas hyrjes në fuqi, veteranët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do t’i rifillojnë protestat masive para institucioneve të BE-së në Kosovë", thuhet në reagimin e organizatës.
Paralajmërimi u drejtohet Brukselit dhe në veçanti Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka dalë kundër ligj-ndryshimit për Gjykatën Speciale. Sipas veteranëve, Kos e ka drejtuar shqetësimin në vendin e gabuar. "Komisionerja Marta Kos duhet të shqetësohet për padrejtësitë në Hagë, jo për vendimet e Kuvendit të Kosovës", shkruan OVL-UÇK.
Organizata e zgjeron këtë qëndrim duke e lidhur drejtpërdrejt me procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. "OVL-UÇK vlerëson se Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duhet të shqetësohet për padrejtësitë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe jo për nismat ligjore të deputetëve të zgjedhur nga populli i Kosovës."
Veteranët i kërkojnë komisioneres që të merret me shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces. Sipas tyre, këto shkelje janë evidentuar edhe nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), dhe institucionet evropiane nuk duhet t’i injorojnë.
Për të mbrojtur ligjin, OVL-UÇK i referohet vetë jurisprudencës së Gjykatës Speciale. "Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në vendimin KSC-CC-2022, paragrafi 83, ka konstatuar vetë të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit dhe Kuvendi i Kosovës tashmë e ka bërë këtë", argumenton organizata.
Në thelb të reagimit qëndron çështja e sovranitetit. "Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së thekson se Kuvendi i Kosovës është institucion sovran dhe përfaqësues i vullnetit të qytetarëve, prandaj ndërhyrjet dhe presioni ndaj ushtrimit të mandatit të tij janë të papranueshme."
Reagimi mbyllet me një mesazh të drejtpërdrejtë për komisioneren evropiane: "Komisionerja Marta Kos duhet të kërkojë drejtësi të paanshme dhe respektim të të drejtave të njeriut, e jo t’u tregojë deputetëve të Kosovës se si duhet ta ushtrojnë mandatin e tyre."
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

