Çlirim Haziri, organizator i protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale, u kërkon deputetëve të Kuvendit të Kosovës të angazhohen për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe paralajmëron se, pa një reagim, protestuesit mund të ndërmarrin veprime të tjera.

Presioni i rrugës po zhvendoset drejt Kuvendit. Çlirim Haziri, organizator i protestave kundër vendimit të Gjykatës Speciale, ka kërkuar publikisht që deputetët e Kuvendit të Kosovës të reagojnë dhe të angazhohen për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se durimi i protestuesve ka një kufi.
"Sot po presim a po reagon dikush prej deputetëve të Kuvendit të këtij vendi, por nuk do të presim deri në pafundësi. Ne, përveç kërkesës tonë paqësore, nëse do të ketë nevojë, duhet të shkojmë në Kuvend, duhet t'i ftojmë deputetët. Ndoshta nuk janë duke na parë, e disa do të na shohin më vonë. Por, çkado që është e nevojshme të bëhet për historinë tonë kombëtare, për UÇK-në, rinia e Kosovës dhe ata njerëz që po i shohim çdo natë, janë të gatshëm të bëjnë për UÇK-në", ka thënë Haziri në një intervistë për emisionin RADAR në Radio Dukagjini.
Ai ka insistuar se demonstratat po mbahen në mënyrë dinjitoze dhe se protestuesit e kanë për obligim ta ruajnë vendin dhe institucionet, por ka vendosur një kusht politik ndaj tyre.
"Jemi njerëz që po protestojmë dinjitetshëm dhe e kemi obligim ta ruajmë vendin dhe institucionet, por ato nuk mund të jenë tonat nëse nuk e trajtojnë historinë tonë kombëtare. Deputetët kanë nevojë të reflektojnë dhe besoj që kanë për të reflektuar", ka deklaruar ai.
Haziri ka thënë se pret një reagim nga deputetët shqiptarë të Kuvendit, duke e cilësuar çështjen e UÇK-së si një temë që u përket të gjithë atyre, me përjashtim të Listës Serbe.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

