Pas një nate me piroteknikë, gaz lotsjellës dhe të lënduar, protestuesit rikthehen sot në qendër të Prishtinës. Ata kërkojnë që ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të votohen në lexim të dytë.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së rikthehen sot në rrugët e Prishtinës. Protesta e re nis në orën 09:00, ndërsa rreth ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është vërejtur një prani e shtuar e pjesëtarëve të Policisë.
Kërkesa e protestuesve nuk ka ndryshuar: ata duan që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të shkojë në votim në lexim të dytë.
Tubimi i sotëm vjen pas mbrëmjes së tensionuar pranë institucioneve shtetërore. Sipas Policisë së Kosovës, gjashtë zyrtarë policorë u lënduan, njëmbëdhjetë qytetarë e protestues kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre persona u shoqëruan në stacion policor, ndaj të cilëve veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
Policia ka paralajmëruar se do të mbetet në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Në qëndrimin e saj zyrtar, ajo thekson se ndërhyrjet kanë qenë të kufizuara vetëm ndaj atyre që kanë përdorur dhunë: "Policia e Kosovës për asnjë ditë dhe në asnjë rast nuk ka vepruar ndaj protestuesve të cilët kanë protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, por ka vepruar vetëm në rastet kur protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë".
Policia ka bërë vazhdimisht thirrje, si në komunikim të drejtpërdrejtë me protestuesit ashtu edhe publikisht, që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe brenda kornizës ligjore.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

