Nxënësit e shkollave të Prishtinës do të nisin ditën e 16 shtatorit me një orë mësimore për luftën e UÇK-së, sakrificën e qytetarëve dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ditën e 16 shtatorit, zilja e parë në shkollat e Prishtinës nuk do të hapë një mësim të zakonshëm. Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës i ka kërkuar shkollave që ora e parë e mësimit t'i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), historisë së luftës për çlirimin e Kosovës dhe kontributit të çlirimtarëve.
Kërkesa është përcjellë me një shkresë të datës 15 shtator 2026. Në të parashihet që nxënësit, në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, të trajtojnë rëndësinë e luftës së UÇK-së, sakrificën e qytetarëve që kontribuuan për lirinë e Kosovës, si edhe procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
"Qëllimi i kësaj ore është që nxënësit të njihen me historinë e afërt të vendit tonë dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e lirisë, paqes dhe kujtesës historike", thuhet në shkresën e Komunës së Prishtinës.
Sipas kërkesës, qëllimi është që brezat e rinj të njihen me historinë e afërt të vendit dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e lirisë dhe të paqes. Komuna e Prishtinës ka falënderuar drejtoritë e arsimit për bashkëpunimin dhe për përcjelljen e kësaj nisme te nxënësit.
Nuk është bërë e ditur sa shkolla përfshihen konkretisht dhe nëse kërkesa është e detyrueshme për të gjitha institucionet arsimore të kryeqytetit.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

