Një kosovar 38-vjeç, i dënuar për falsifikim kartëmonedhash në Pejë, përfundoi në pranga në Rinas. Në të njëjtin operacion u arrestua në Tiranë edhe një 47-vjeçar i kërkuar nga Italia për trafik droge.

Një shtetas kosovar 38-vjeç, i dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim nga Gjykata e Apelit në Pejë, është arrestuar në Rinas dhe pritet të ekstradohet në Kosovë. Arrestimi u bë nga Policia e Shtetit në Shqipëri, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar "The Wanted", të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet homologe dhe Drejtorinë e Interpolit.
I arrestuari, i identifikuar me inicialet H. K., u dënua në vitin 2022 për falsifikim të kartëmonedhave. Sipas akuzës, gjatë vitit 2021 ai, së bashku me persona të tjerë, ka tentuar të hedhë në qarkullim në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.
Në të njëjtin operacion, në Tiranë u arrestua edhe E. D., 47 vjeç, me origjinë nga Kavaja, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane. Ndaj tij, sipas policisë, Gjykata e Bolonjës ka lëshuar në maj të vitit 2026 urdhër-arrest për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Autoritetet shqiptare dyshojnë se 47-vjeçari, gjatë vitit 2020 dhe në bashkëpunim me të tjerë, ka organizuar blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të marijuanës, hashashit dhe kokainës, të cilat dyshohet se janë dërguar në Itali për t'u shitur. Ai pritet të ekstradohet drejt Italisë.
Procedurat për dorëzimin e të dy të arrestuarve nuk kanë përfunduar ende. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet në Romë dhe në Kosovë për përmbylljen e hapave ligjorë të ekstradimit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

