Kanabis i llojit "Gelato" nisej nga Ontario i Kanadasë, i fshehur në një hapësirë të modifikuar posaçërisht në një automjet, dhe përfundonte në Shqipëri e më pas në Kosovë. Policia e Shqipërisë njofton për tre të arrestuar dhe dy të shpallur në kërkim.

Njëqind e njëzet e shtatë pako me rreth 80 kilogramë kanabis, me një vlerë tregu të përllogaritur në rreth një milion euro, janë sekuestruar në Durrës gjatë operacionit policor të koduar "Anchor". Policia e Shqipërisë ka publikuar edhe pamje nga aksioni, me të cilin, sipas saj, është goditur një skemë e dyshuar trafikimi droge nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe Kosovës.
Droga e kapur është e llojit "Gelato", me përmbajtje të lartë THC-je. Krahas saj, gjatë aksionit janë sekuestruar tri automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro para të gatshme.
Në pranga kanë rënë tre shtetas kosovarë, të identifikuar me inicialet T.D., 32 vjeç, L.G., 26 vjeç, dhe B.J., 40 vjeç, të dyshuar për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve". Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim: H.C. nga Kukësi dhe G.O., shtetas kosovar me banim në Ontario të Kanadasë. Asnjëri prej tyre nuk është shpallur fajtor, pasi çështja mbetet në fazë hetimore.
Sipas Policisë së Shqipërisë, lënda narkotike sigurohej në Ontario dhe udhëtonte drejt Shqipërisë e fshehur në një hapësirë të modifikuar posaçërisht në një automjet të porositur në Kanada. Pas mbërritjes në portin shqiptar, dyshohet se sasia shpërndahej edhe në Kosovë.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e rolit të secilit në këtë skemë të dyshuar kriminale.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

