Një mision ndërkombëtar i pavarur hetimor i OKB-së për Iranin thotë se ka baza të arsyeshme të besohet se forcat amerikane kryen dy goditje, mbi një shkollë fillore dhe një palestër sportive, që përbëjnë krime lufte. I njëjti raport akuzon autoritetet iraniane për krime kundër njerëzisë gjatë shtypjes së protestave.

Shkolla fillore "Shajareh Tayyebeh" në qytetin Minab, në jug të Iranit, u godit në shkurt. Sipas zyrtarëve iranianë, në atë atak u vranë më shumë se 150 persona, ndër të cilët rreth 120 nxënës. Tani, misioni i pavarur ndërkombëtar hetimor i OKB-së për Iranin thotë se ka baza të arsyeshme të besohet se përgjegjëse për goditjen ishin forcat e Shteteve të Bashkuara, dhe se ajo përbën krim lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ekspertët e OKB-së e cilësuan atakun ndaj shkollës si të pashqisë, me viktima civile dhe dëmtim të infrastrukturës civile. Shkolla, sipas tyre, ishte objekt civil lehtësisht i identifikueshëm dhe nuk u gjet provë se përdorej për qëllime ushtarake.
Sipas raportit, SHBA-ja u mbështet në informacione inteligjence që sugjeronin se në atë vend ndodhej një komandant i lartë ushtarak iranian, por nuk arriti të verifikojë në mënyrë të përshtatshme këtë informacion para se të kryente goditjen. Hetuesit thonë se dështimi për të përditësuar informacionin e shënjestrimit dhe për të konfirmuar se ndërtesa ishte objektiv ushtarak kalon përtej një neglizhence të thjeshtë.
"Përkundrazi, SHBA-ja i drejtoi goditjet ndaj ndërtesës së shkollës duke qenë në dijeni të një rreziku të konsiderueshëm të goditjes së një objekti civil dhe duke vepruar në mënyrë të papërgjegjshme sa i përket mundësisë që kjo do të ndodhte", thuhet në raport.
Një përfundim i ngjashëm arrihet edhe për një goditje ndaj një qendre sportive në Lamerd. Raporti thotë se ataku dëmtoi ndërtesa banimi në afërsi dhe një shkollë, dhe vrau e plagosi 22 civilë, duke përbërë sipas misionit një goditje të pashqisë dhe, për këtë arsye, krim lufte. Komanda Centrale e SHBA-së kishte deklaruar në mars se forcat amerikane nuk kryen asnjë goditje në qytetin e Lamerdit atë ditë.
Qëndrimi publik i Uashingtonit ka mbetur i njëjtë: zyrtarët amerikanë kanë thënë më parë se operacionet ushtarake kryhen në përputhje me të drejtën e konfliktit të armuar. Në qershor, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se "askush" nuk goditi me qëllim një shkollë për vajza në Iran në shkurt, duke iu referuar një hetimi për incidentin. Një hetim fillestar i brendshëm i ushtrisë amerikane, i raportuar i pari nga agjencia Reuters, kishte treguar se forcat amerikane ishin me gjasë përgjegjëse për goditjen fatale në Minab. Pentagoni e ka ngritur në nivel hetimin, por nuk ka publikuar gjetje paraprake.
Raporti nuk ndalet vetëm tek sjellja amerikane gjatë luftës në Iran, që filloi në shkurt. Misioni i OKB-së konstaton edhe se autoritetet iraniane kryen një atak të gjerë dhe sistematik ndaj civilëve gjatë protestave që shpërthyen në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke përfshirë vrasje të paligjshme, torturë, ndalime arbitrare, zhdukje të detyruar dhe kufizime të rënda të lirisë së shprehjes. Sipas misionit, kjo përbën krime kundër njerëzisë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë shtypjes së protestave u vranë 3.038 persona dhe u plagosën 25.000. Hetimi thotë se nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e viktimave, por besohet se numri i të vrarëve dhe të plagosurve është me gjasë shumë më i lartë se ai zyrtar. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se ndër të vrarët kishte edhe kalimtarë të rastit, në shtypjen më të madhe të protestave nga koha kur klerikët muslimanë shiitë erdhën në pushtet me revolucionin e vitit 1979.
Teherani ka fajësuar "terroristë dhe kryengritës" të përkrahur nga kundërshtarë në mërgim dhe nga armiqtë e huaj, SHBA-ja dhe Izraeli. Irani i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut.
Raporti thotë se reagimi i qeverisë ndaj protestave, përfshirë dhunën e vrasjet, ndërprerjen e internetit dhe përdorimin e dënimit me vdekje, shënon një përshkallëzim të ndjeshëm krahasuar me modelet e mëparshme të shtypjes së mendimit kundërshtar. Gjetjet do t'i dorëzohen Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

