Pas një dite propozimesh të rrëzuara dhe pazaresh deri në orët e fundit të afatit, Kosova ka presidente të re: Justina Shiroka-Pula u betua në Kuvend menjëherë pas votimit.

Justina Shiroka-Pula është betuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pak pas votimit që e zgjodhi presidente të Republikës së Kosovës. Betimi vulosi një proces që deri në mbrëmje dukej i bllokuar dhe që u përmbyll vetëm në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Në garë, Shiroka-Pula kishte si kundërkandidate Elzia Hoxhajn. Pas përfundimit të votimit në Kuvend, ajo do ta ushtrojë mandatin si presidente e vendit.
Rruga drejt këtij votimi ishte gjithçka, veç e qetë. Gjatë ditës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hodhi në tryezë disa emra. I pari ishte Bekim Sejdiu, por ai vetë e refuzoi kandidaturën, ndërsa as PDK-ja nuk e pranoi. Më pas u diskutuan Feride Rushiti dhe Glauk Konjufca, por edhe këto propozime u rrëzuan nga PDK-ja, e cila i cilësoi si kandidatura të papranueshme.
Kthesa erdhi në orët e mbrëmjes. Kurti doli me një propozim të ri dhe u kërkoi deputetëve të mblidheshin në Kuvend, me një renditje të qartë: fillimisht të votohej projektligji për Dhomat e Specializuara dhe vetëm pas tij kandidatura e Justina Shiroka-Pulës.
Kësaj radhe opozita nuk e mbylli derën. Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se Shiroka-Pula ishte një emër i pranueshëm për partinë e tij, duke hapur rrugën për votimin që i dha Kosovës presidenten e re në orët e fundit para skadimit të afatit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

