Komandantët e lartë të policisë së Nju Jorkut dolën të mërkurën para Këshillit Bashkiak me shifra rekord për vrasjet dhe të shtënat me armë, por u përballën me një numër që nuk bie: sulmet e rënda, ku 263 persona janë arrestuar tri ose më shumë herë brenda vitit.

Në Nju Jork të shtënat me armë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i viteve '90, ndërsa vrasjet janë 24 për qind më pak nga fillimi i vitit 2026, sipas të dhënave të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD). Por pikërisht ndërsa këto shifra u paraqitën si sukses, u bë e qartë edhe ana tjetër e statistikave: sulmet e rënda kanë vijuar të rriten gjatë gjithë vitit, me kulm në gusht.
Komandantët e lartë të departamentit dëshmuan të mërkurën para Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, i cili nisi një shqyrtim më të imtësishëm të statistikave të fundit të kriminalitetit. Pas pandemisë, vrasjet dhe të shtënat kanë rënë në të gjithë qytetin, ndërsa sulmet e rënda kanë ecur në drejtim të kundërt.
"Suksesi ynë nuk është i rastësishëm", tha William Haut, inspektor i NYPD-së për strategjitë e kontrollit të krimit. Formulën e shpjegoi zëvendëskomisioneri i NYPD-së për Çështje Ligjore, Michael Gerber: "Vendosini policët atje ku është krimi, atëherë kur po ndodh krimi".
Sipas policisë, deri në fund të gushtit të shtënat ishin mbi 9 për qind më pak se në vitin 2025, shifra më e ulët që nga fillimi i viteve '90.
Te sulmet e rënda tabloja ndryshon. Mbi gjysmën e tyre, sipas policisë, kanë të bëjnë me dhunë në familje ose me sulme ndaj policëve dhe punonjësve të tjerë publikë. Komandantët thanë se janë bërë arrestime në 90 për qind të rasteve dhe se 20 për qind e të arrestuarve kishin të paktën dy arrestime të mëparshme.
Numri që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ai i përsëritësve. "Këtë vit kemi pasur 263 individë që janë arrestuar tri ose më shumë herë për sulm të rëndë, dhe kjo është 205 për qind më shumë krahasuar me vitin 2018", tha Haut.
Gerber e përshkroi situatën si zhgënjyese për policinë. "Mund ta imagjinoni frustrimin. Ne shkojmë dhe arrestojmë dikë për sulm të rëndë, ata dalin sërish jashtë, dhe e bëjnë përsëri një herë të dytë, e bëjnë një herë të tretë", tha ai. "Është frustruese, sigurisht. Ne jemi një pjesë e sistemit të drejtësisë penale... Është problem."
Në seancë u ngrit edhe pyetja nëse arrestimet e përsëritura e zgjidhin vërtet problemin. Anëtarë më progresivë të Këshillit vunë në dyshim efektin e tyre mbi shkaqet e recidivizmit. "Pyetja ime është nëse kjo e zgjidh problemin e aktit recidivist. Dhe unë mendoj se përgjigjja është jo. Pra, pyetja ime e radhës është: Cilët janë faktorët themelorë të paqëndrueshmërisë që mund të shkaktojnë episode të shumta sulmi, për shembull?", pyeti anëtarja e Këshillit Bashkiak, Tiffany Caban.
Gerber u përgjigj se në sfond qëndrojnë "çështje sociale themelore që shkojnë shumë përtej çdo gjëje me të cilën mund të merret NYPD-ja", duke përmendur si shembuj pabarazitë në arsim dhe në financa.
Një pjesë tjetër e pyetjeve të anëtarëve të Këshillit iu kushtua shqetësimeve se disa policë refuzojnë të regjistrojnë kallëzime për krime ose ulin cilësimin e akuzave. Komandantët që dëshmuan pranuan se kjo ndodh dhe se policët ndonjëherë bëjnë gabime, por theksuan se çështja auditohet nga departamenti dhe merret seriozisht.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

