Katër minuta bisedë, dy thika të mëdha dhe një thirrje sfiduese: "Hajde! Eja më merr!". Policia e Nju Jorkut ka publikuar pamjet e momenteve para se agjentët të qëllonin për vdekje një grua që, sipas hetuesve, sapo kishte vrarë një nënë dhe plagosur një burrë.

"Nuk dua të të lëndoj", i lutet një polic gruas që i qëndron përballë me dy thika të mëdha në duar, në zemër të Times Square. Përgjigjja vjen menjëherë: "Hajde! Eja më merr!"
Këto janë disa nga fjalët e kapura në pamjet e kamerave trupore që Departamenti i Policisë së Nju Jorkut (NYPD) publikoi të premten, lidhur me ngjarjen e 31 gushtit pranë kryqëzimit të Rrugës 42 Perëndimore me Avenunë e Shtatë. Pamjet tregojnë momentet para se agjentët të qëllonin për vdekje Pamela Cisneros, 49 vjeç, të cilën policia e ka identifikuar si gruan e armatosur.
Sipas policisë, përplasja nisi pas disa thirrjeve në numrin e emergjencës 911, që njoftonin për një person që po shkaktonte trazira në zonë. Agjentët që mbërritën në vend folën me Cisneros për katër minuta, duke i kërkuar vazhdimisht të hidhte thikat. Ajo refuzoi. "Nuk dua ta bëj këtë", i thotë policja me këmbëngulje në pamje.
Policia bën të ditur se agjentët përdorën fillimisht pistoleta elektroshoku, por ato nuk dukej se kishin efekt. Cisneros u nis më pas drejt tyre dhe dy prej policëve hapën zjarr. Ajo u dërgua në spital, ku ndërroi jetë.
Përballja erdhi vetëm pak çaste pasi, sipas hetuesve, gruaja kishte goditur me thikë dy persona. Viktima e parë, një nënë 32-vjeçare nga Nju Xhersi, drejtuese në sektorin bankar, nuk arriti të mbijetonte, sipas policisë. Një burrë 68-vjeçar, i goditur gjithashtu me thikë, u shtrua në spital. Nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore.
Autoritetet thonë se të dyja thikat u gjetën në vendngjarje, ndërsa policët e përfshirë në të shtëna u dërguan në një spital lokal për t'u vlerësuar.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

