Që nga nisja e punës së saj, Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë aktgjykime përfundimtare ndaj 11 personave dhe të gjithë janë dënuar për së paku një vepër. Asnjë shpallje pafajësie, ndryshe nga Nurembergu, ICTY-ja apo tribunali për Ruandën.

Njëmbëdhjetë emra, njëmbëdhjetë dënime. Ky është bilanci i proceseve të mbyllura deri më tani në Gjykatën Speciale në Hagë: të gjithë personat ndaj të cilëve janë dhënë aktgjykime përfundimtare janë gjetur fajtorë për së paku një vepër dhe asnjëri prej tyre nuk është shpallur i pafajshëm.
Grupi më i fundit që iu shtua kësaj liste janë katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të shpallur fajtorë më 16 shtator. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet.
Sipas aktgjykimit, katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për vepra që përfshijnë ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Para tyre, në Hagë ishin dënuar Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafa, Pjetër Shala, Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari. Salih Mustafa dhe Pjetër Shala u dënuan për krime lufte, ndërsa Gucati, Haradinaj, Haxhi Shala, Januzi dhe Bahtijari në rastet që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Dënimet nuk kanë mbetur të pandryshuara. Mustafa, i njohur si "Cali", ishte dënuar fillimisht me 26 vjet burgim, Apeli ia uli dënimin në 22 vjet, ndërsa pas rishqyrtimit ai u caktua përfundimisht në 15 vjet. Pjetër Shala kishte marrë fillimisht 18 vjet burgim, dënim që më vonë u reduktua në 13 vjet.
Ajo që e bën të veçantë statistikën e Hagës është krahasimi me tribunalet e tjera ndërkombëtare. Në Gjyqin e Nurembergut, pas Luftës së Dytë Botërore, tre nga 22 të akuzuarit kryesorë u shpallën të pafajshëm. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dënoi 93 persona dhe liroi 18 të tjerë. Në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, 61 persona u dënuan dhe 14 u shpallën të pafajshëm.
Pikërisht shembullin e Nurembergut e kishte përmendur avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, gjatë fjalës përfundimtare në procesin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ai kishte argumentuar se edhe në një gjykim të madh ndërkombëtar si Nurembergu kishte pasur raste kur të akuzuarit ishin liruar, pasi nuk ishte provuar përgjegjësia e tyre për krimet.
Në Kosovë, vendimi i 16 shtatorit është kundërshtuar përmes protestave. Qytetarë të shumtë u mblodhën në Prishtinë në ditët pas aktgjykimit, duke shprehur kundërshtimin ndaj dënimeve të shqiptuara ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

