Një 21-vjeçar u arrestua para një hoteli në Pensilvani, i akuzuar nga autoritetet federale amerikane se ishte armatosur për një sulm me viktima masive pasi kishte shprehur besnikëri ndaj ISIS-it. Në dhomën e hotelit dhe në banesën e tij u gjetën një pushkë gjysmëautomatike, 30 thika dhe një shënim lamtumire.

Një pushkë gjysmëautomatike, karikatorë të mbushur, një optikë, kuti me municion, 30 thika dhe një shënim i shkruar me dorë. Kjo është lista e gjërave që hetuesit federalë amerikanë thonë se i gjetën gjatë bastisjeve në dhomën e hotelit dhe në shtëpinë e Jonathan Kramer, 21 vjeç, nga Valencia e Pensilvanisë.
Kramer u arrestua të shtunën para një hoteli në Cranberry Township të qarkut Butler. Sipas FBI-së, ai po përgatiste një sulm në mbështetje të ISIS-it. Në një konferencë për shtyp, zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit deklaruan se i akuzuari ishte armatosur për të kryer një "sulm me viktima masive" kundër popullit amerikan, pasi i ishte betuar për besnikëri Shtetit Islamik të Sirisë.
Richard Evanchec, agjenti special në krye të zyrës së FBI-së në Pitsburg, e cilësoi sulmin e planifikuar si një "kërcënim të afërt dhune i frymëzuar nga ISIS". Sipas tij, i dyshuari kërkonte të tërhiqte edhe të tjerë: "Ky i pandehur bëri përpjekje të përsëritura për të nxitur dhe koordinuar dhunë përmes platformave të enkriptuara, duke i këshilluar të tjerët për metodat e sulmit, duke diskutuar helme kimike, sulme me automjete, shpërndarje eksplozivësh me dron dhe sulme me armë zjarri", deklaroi Evanchec.
Sipas dokumenteve gjyqësore, shënimi i gjetur u thoshte njerëzve të mos e kërkonin, me fjalët "I cant live In constant Fear" ("Nuk mund të jetoj në frikë të vazhdueshme"). FBI-ja tha se gjeti gjithashtu korrespondencë në rrjete sociale që i çoi hetuesit të besojnë se po planifikohej një sulm.
Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Troy Rivetti, e përshkroi hetimin që çoi te arrestimi si "të fshehtë" dhe falënderoi ata që njoftuan autoritetet: "Duam të falënderojmë personin që raportoi i pari sjelljen e rrezikshme dhe shqetësuese të këtij të pandehuri, si dhe individët e tjerë që pranuan të flasin me organet e zbatimit të ligjit gjatë kësaj fundjave." Sipas Rivettit, bashkëpunimi i publikut është çelësi për të "parandaluar krime të tmerrshme që kryhen në komunitetin tonë". "Shpresojmë se ky ndjekje penale shërben si një kujtesë e fortë për të gjithë mbi rëndësinë e vigjilencës", tha ai.
Kramer përballet me një akuzë: marrje ose transferim i një arme zjarri apo municioni, duke ditur ose duke pasur arsye të besojë se ajo do të përdoret për të kryer një krim të rëndë ose një vepër terroriste federale. Ai nuk është shpallur fajtor nga asnjë gjykatë. Autoritetet nuk kanë bërë publik një objektiv konkret apo një datë të planifikuar të sulmit.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

