Gjykata Themelore në Prishtinë i mban nëntë të dyshuar për krime lufte në paraburgim për një muaj. Arsyeja kryesore është nënshtetësia serbe dhe pasaportat që, sipas gjykatës, u japin mundësinë t'i ikin drejtësisë.

Nëntë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë do ta kalojnë muajin e ardhshëm në paraburgim. Masën e ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë. Përmes një komunikate për media, ajo bëri të ditur se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Për gjykatën, paraburgimi është masa e duhur në këtë çështje penale. Sipas saj, ekziston rrezik real që të pandehurit, nëse lihen në liri, të pengojnë zhvillimin normal të procedurës, t'i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ky vlerësim mbështetet te lidhjet e tyre me Serbinë. Gjykata thekson se të pandehurit kanë nënshtetësi dhe vendbanim në Republikën e Serbisë dhe posedojnë pasaporta të këtij shteti. Prandaj, sipas saj, ka rrezik konkret që ata të largohen për t'i shpëtuar ndjekjes penale.
Një arsye tjetër lidhet me provat. Gjykata vlerësoi se në liri të pandehurit mund të ndikojnë në prova dhe në dëshmitë e tyre. Kjo do ta pengonte administrimin e drejtë dhe të plotë të provave dhe zbardhjen e plotë të gjendjes faktike.
Të nëntët u arrestuan dy ditë më parë, në një aksion të Prokurorisë Speciale në Zveçan. Ata dyshohen se kanë lidhje me rastin e vrasjes dhe zhdukjes së 23 intelektualëve.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

