Brenda pak orësh, katër të mitur dyshohen se vodhën një motoçikletë, provuan të grabitnin një market dhe ikën me para nga një tjetër. Policia i kapi në dy fshatra, por pas konsultimit me prokurorin për të mitur, të katër janë liruar.

Katër të mitur janë arrestuar të premten pasdite në Vushtrri, të dyshuar për një seri vjedhjesh të kryera njëra pas tjetrës brenda një kohe të shkurtër, njoftoi Policia e Kosovës.
Alarmi u dha në Stacionin Policor në Vushtrri, pasi u raportua se disa persona kishin marrë një shumë parash në një market dhe ishin larguar me dy motoçikleta. Policia ndërmori menjëherë veprime operative dhe hetimore dhe i ndali të dyshuarit në dy vende të ndryshme: dy prej tyre, që ndodheshin në njërën motoçikletë, u kapën në fshatin Pestovë, ndërsa dy të tjerët, me motoçikletën e dytë, u ndalën në fshatin Gracë të Vushtrrisë, në bashkëpunim me njësitet e Stacionit Policor në Obiliq.
Sipas policisë, hetimet tregojnë se të katër, të gjithë të moshës së mitur, dyshohet se fillimisht kanë vjedhur një motoçikletë në Vushtrri. Më pas ata dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në një market, ndërsa rreth orës 16:00, në një market tjetër, kanë marrë një shumë parash dhe janë larguar nga vendi. Sa para janë vjedhur nuk është bërë e ditur.
Policia ka sekuestruar si prova materiale motoçikletat dhe paratë e vjedhura, të cilat do t'u kthehen pronarëve pas përfundimit të procedurave.
Pas konsultimit me Prokurorin për të Mitur dhe me zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, duke pasur parasysh moshën e tyre, të katër të miturit janë liruar. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të verifikuar nëse në rastin janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

