Gjyqtari Charles Smith ka vendosur t'ua vazhdojë edhe për dy muaj paraburgimin Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, vetëm një ditë para se trupi gjykues në Hagë të shpallë aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Njëzet e katër orë para momentit që Kosova e pret prej vitesh, në Hagë ka rënë një vendim tjetër: paraburgimi i Kadri Veselit dhe i Jakup Krasniqit, dy nga katër ish-krerët e UÇK-së të akuzuar, vazhdohet edhe për dy muaj të tjerë.
Vendimin e ka marrë gjyqtari Charles Smith. Sipas gazetares së Klan Kosovës, Rina Mujku, që raporton nga Haga, bëhet fjalë për një hap teknik, i imponuar nga skadenca e afateve: masa e fundit e paraburgimit ishte caktuar më 15 korrik dhe sot ishte dita e fundit për një vendim të ri. "Është vetëm një çështje procedurale", ka thënë Mujku, duke shtuar se vendimi mund të ishte marrë edhe pas shpalljes së aktgjykimit.
Të njëjtën gjë e ka raportuar edhe Klan Kosova: "Për shkak të afateve, konfirmojmë lajmin e fundit se vetëm një ditë para shpalljes së aktgjykimit nga trupi gjykues për Thaçin e të tjerët, Charles Smith ka vendosur t'ua vazhdojë edhe dy muaj paraburgimin Veselit dhe Krasniqit".
Për dy të akuzuarit e tjerë, Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, të cilët gjithashtu ndodhen në paraburgim, ende nuk janë bërë të ditura afate të reja për një vendim të ngjashëm.
Aktgjykimi ndaj të katërve pritet të shpallet nesër në Hagë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

