Barnatoret në Pejë që nuk respektonin çmimin e shënuar në banderolën e barnave u gjobitën të hënën. Inspektorët e tregut dhe ata farmaceutikë po shtrijnë tani kontrollet në të gjitha rajonet e Kosovës.

Çmimi i shkruar në banderolën e barnit dhe ai që shfaqej në arkë nuk ishin të njëjtë. Për këtë mospërputhje, disa barnatore në Pejë u gjobitën të hënën. Ky është rezultati i parë konkret i një vale inspektimesh që, sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), do të përfshijë të gjitha rajonet e Kosovës.
Kontrollet i kryen Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), i cili ka kërkuar ndihmën e inspektorëve të Inspektoratit Farmaceutik. Sipas ministrisë, ndërhyrja erdhi pas ankesave të konsumatorëve dhe synon të parandalojë parregullsitë në çmime, si dhe të mbrojë qytetarët nga praktikat e padrejta tregtare. Gjobat u shqiptuan ndaj subjekteve ku inspektorët konstatuan shkelje, por nuk është bërë e ditur sa barnatore u ndëshkuan dhe me çfarë shume.
Ministria i mbështet masat në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, konkretisht në nenin 26, paragrafin 9, në lidhje me nenin 137, paragrafin 1, nënparagrafin 1.11. Këto dispozita e detyrojnë tregtarin të garantojë që çmimi që paguan blerësi të jetë i njëjtë me çmimin e ofruar, dhe përcaktojnë ndëshkimet për shkeljet. Për një person juridik, gjoba mund të shkojë nga 1.000 deri në 10.000 euro.
Problemi nuk është i ri. Vetëm këtë vit, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka trajtuar mbi 20 ankesa për çmime të ndryshme në arkë nga ato në banderolë. Sipas ministrisë, numri i tyre është në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas Pejës, inspektimet do të vazhdojnë ditëve në vijim me aksione të veçanta në rajonet e tjera. Qytetarët që hasin mospërputhje çmimesh mund të ankohen me email në adresën konsumatori@rks-gov.net ose përmes platformës Viber, në numrin +383 (0) 46 311-000.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

