Ndryshimet ligjore që synojnë t'u kthejnë gjykatave të Kosovës një pjesë të juridiksionit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës kaluan në Komisionin për Legjislacion. Nisma e nënshkruar tashmë është në sallën e Kuvendit.

Nisma e PDK-së për ndryshimin e ligjit që rregullon Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka kaluar hapin e parë institucional. Komisioni për Legjislacion e miratoi me 9 vota për, ndërsa dokumenti i nënshkruar ka mbërritur tashmë në sallën e Kuvendit.
Thelbi i plotësim-ndryshimeve, sipas Përparim Grudës, anëtar i PDK-së në Komisionin për Legjislacion, është që një pjesë e juridiksionit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës t'u kthehet gjykatave të Kosovës. Gruda pohon se ky synim mund të arrihet pa prekur Kushtetutën dhe pa cenuar detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Rruga e zgjedhur nga nismëtarët, sipas tij, është ndryshimi i një ligji të zakonshëm. Për ta mbështetur këtë qasje, Gruda argumentoi se mandati fillestar i Speciales ishte i lidhur me pretendimet e raportit të Dick Marty-t.
Me miratimin në komision, vendimi tani kalon te deputetët e Kuvendit, ndonëse nuk dihet ende se kur do të hidhet nisma në votim në seancë plenare.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

