Një pagë mujore prej 1 mijë euro, një hua prej 60 mijë euro dhe një video që, sipas tij, s'e ka parë kurrë: i dëmtuari në gjyqin ndaj Fatmir Shehollit rrëfeu në gjykatë si u shndërrua, sipas tij, shantazhi në transferta bankare.

Rreth 200 mijë euro, të gjitha të transferuara përmes bankës: kaq tha i dëmtuari në gjyqin ndaj Fatmir Shehollit se i ka dërguar të akuzuarit, nën kërcënimin se përndryshe do të publikohej një video. Dëshmia u dha të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Sheholli gjykohet i akuzuar për spiunazh dhe shantazh.
I dëmtuari, i cili u paraqit edhe si dëshmitar, A.J., e nisi rrëfimin nga koha kur Sheholli ndodhej në paraburgim. Sipas tij, i akuzuari i kishte kërkuar para si ndihmë për familjen dhe ai ia kishte dërguar 500 euro. Më pas, tha ai, nga paraburgimi i erdhi një porosi kërcënuese apo shantazhuese, e përcjellë përmes bashkëpunëtorit të tij, L.R.
"Asnjë obligim prej tina nuk më është kthy… Në momentin që ma ka dërgu porosinë prej paraburgimit, e kam ndi veten të kërcënum dhe të shantazhum sepse porosia ishte kërcënuese dhe shantazhuese", tha i dëmtuari para trupit gjykues.
Që nga ajo kohë, sipas dëshmisë së tij, kishte filluar t'i paguante të akuzuarit një rrogë mujore prej 1 mijë euro, gjithsej 13 mijë euro, ndërsa Sheholli figuronte zyrtarisht si punëtor i tij. Dëshmitari e përshkroi këtë si "blerjen e paqes": një mënyrë për të ndalur publikimin e lajmeve që ai i quajti të pavërteta rreth biznesit të tij, lajme të cilat, sipas tij, i kishin dëmtuar si personalitetin, ashtu edhe biznesin.
Kërkesat, sipas tij, nuk mbetën këtu. A.J. tha se i akuzuari i kishte kërkuar edhe 60 mijë euro hua për të blerë një banesë, duke i premtuar se paratë do t'ia kthente pasi të shiste një lokal në Podujevë, ose se do t'ia kalonte lokalin në pronësi.
Në asnjë rast, theksoi dëshmitari, nuk kishte folur drejtpërdrejt me të akuzuarin apo me familjen e tij. Pikat e kontaktit, sipas tij, ishin gjithmonë bashkëpunëtori L.R. dhe djali i të akuzuarit. Marrëveshjet bëheshin me gojë, ndërsa paratë kalonin në llogarinë e të akuzuarit përmes bankës.
Për videon që, sipas tij, ishte në qendër të shantazhit, A.J. tha se i ishte thënë se do të publikohej nëse shumat e kërkuara nuk paguheshin. Çfarë përmbante ajo, tha se nuk e di, por shtoi se sipas tij ishte me siguri diçka personale.
Dëshmitari shprehu edhe bindjen se Sheholli i përdorte mediat për ta shantazhuar, por pranoi vetë se për këtë nuk ka dëshmi. Në fund të deponimit, ai deklaroi se i bashkohet ndjekjes penale dhe se do të konsultohet me avokatin e tij për kërkesën për kompensim të dëmit.
Akuzat ndaj Shehollit mbeten për t'u provuar në gjykatë, ku gjykimi vazhdon me dëgjimin e provave.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

