Ish-prokurori Geoffrey Nice thotë se integriteti i procesit që çoi te krijimi i gjykatës në Hagë është vënë në dyshim prej 15 vjetësh dhe se shkalla e dytë duhet të hetojë ndikimin e presioneve politike mbi gjykimin e Hashim Thaçit e tre bashkëtëpandehurve të tij.

Pas dënimeve të shkallës së parë në Hagë, ish-prokurori Geoffrey Nice ka shtruar në një prononcim për Lajmi.net atë që, sipas tij, duhet të jetë boshti i shqyrtimit në Apel: sa peshuan konsideratat politike, e sa ato thjesht ligjore, në procesin kundër katër ish-krerëve.
Nice i kthehet raportit të Dick Martyt, autor i dokumentit të njohur si Raporti Marty, duke thënë se që nga momenti kur ai u pranua janë nxitur presione të ndryshme politike që më pas kanë ndikuar në proces. Sipas tij, trupi gjykues i Apelit duhet të trajtojë pikërisht këtë dimension dhe të bëjë përpjekje për të zbuluar cilat konsiderata politike kanë ndikuar në gjykimin e katërshes.
"Gjatë 15 viteve të fundit, që kur Raporti Marty u mor si bazë në Këshillin e Evropës, integriteti i procesit që çoi në krijimin e kësaj gjykate është vënë në dyshim nga shumëkush. Presionet politike të llojeve të ndryshme që nxisin dhe ndikojnë në proces mendohet se kanë çuar përfundimisht në gjyqet e Thaçit etj. Përmbajtja e këtyre gjyqeve ishte krejtësisht e shkëputur nga pretendimet e pabazuara për “marrje të detyruar të organeve”, mbi të cilat u hodh hapi i parë i procesit. Nuk e di se në ç’masë këto presione kanë qenë objekt argumentimi nga ana e mbrojtjes gjatë gjykimit. Ato duhet të trajtohen në apel dhe duhet bërë çdo përpjekje për të zbuluar se cilat konsiderata politike, në dallim nga ato thjesht ligjore, kanë ndikuar në proces dhe në gjykimin në tërësi (nëse vërtet ka pasur të tilla, siç supozohet)", tha Nice.
Një pikë të dytë ai e drejton nga akuza. Nice ngre pyetjen nëse Prokuroria i ka hetuar dhe provuar në mënyrë sistematike krimet e pretenduara, duke shtuar se Apeli duhet të shqyrtojë nëse përfundimi për një qëllim të përbashkët kriminal mbështetet plotësisht në provat dhe në çështjen e paraqitur gjatë gjykimit.
Trupi Gjykues në Hagë e dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

