Prokuroria e Ferizajt pretendon se një shtetas i Maqedonisë së Veriut u ndoq nga Podujeva deri në autostradë me marihuanë që të tjerët ia futën në bagazh. Ndaj tij tani është ngritur aktakuzë.

Në parkingun e një marketi në hyrje të Podujevës, disa persona hapën bagazhin e një "VW Passat" të zi, futën brenda një çantë dhe një qese najloni dhe nuk e lanë shoferin të dilte nga vetura. Kështu e përshkruan prokuroria fillimin e një udhëtimi që përfundoi në daljen e autostradës "Arbër Xhaferi" në fshatin Doganaj, ku Policia gjeti në bagazh mbi 6 kilogramë marihuanë.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.A., shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai ndodhet në paraburgim që nga 30 janari 2026 dhe ngarkohet me veprën penale "Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge", nga neni 267 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, E.A. nuk veproi i vetëm, por sipas udhëzimeve të dy të pandehurve të tjerë, të identifikuar me inicialet M.Q. dhe A.R. Prokuroria pretendon se ai shkoi me veturën e tij deri te pompa e derivateve "Hib Petrol" në hyrje të Podujevës dhe që andej kontaktoi me telefon A.R. Pas disa minutash, aty mbërriti një person me veturë, i cili i kërkoi ta ndiqte.
Ndalesa tjetër ishte parkingu i një marketi. Aty, sipas akuzës, arritën disa persona me dy vetura "Mercedes" dhe një kombi "Volkswagen Transporter". Ata e mbajtën të pandehurin brenda veturës, hapën bagazhin dhe vendosën ngarkesën. Më pas e shoqëruan deri në kyçjen e autostradës në drejtim të Hanit të Elezit.
Rreth orës 20:30 të 30 janarit, në daljen e autostradës në Doganaj, Policia e ndaloi veturën. Gjatë kontrollit në bagazh u gjetën çanta dhe qesja e najlonit, me marihuanë të ndarë në 20 paketime, me peshë të përgjithshme 6121,08 gram. E gjithë sasia u sekuestrua.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës kompetente që E.A. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Pretendimet e aktakuzës mbeten për t'u provuar në gjykim, ku do të vendoset për fajësinë e të pandehurit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

