Pas tubimit kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, grupe protestuesish marshuan nëpër rrugët e Prishtinës drejt selisë së EULEX-it, edhe pse policia e kishte bllokuar rrugën. Një avokat u bëri thirrje qytetarëve ta mbajnë protestën paqësore.

Tubimi në sheshin "Skënderbeu" mori fund, por protesta jo. Grupe qytetarësh, të mbledhur në kryeqytet kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, vazhduan marshimin nëpër disa rrugë të Prishtinës, duke shkaktuar bllokime të përkohshme të qarkullimit.
Policia e Kosovës kishte bllokuar rrugën që çon drejt selisë së EULEX-it, me qëllim të parandalimit të incidenteve të mundshme, pas përplasjeve që kishin ndodhur dy net më parë. Bllokimi nuk e ndaloi një pjesë të protestuesve, të cilët vazhduan marshimin në këmbë në drejtim të selisë së misionit evropian. Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ata u nisën drejt zyrave të EULEX-it me flamuj, duke kënduar në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.
Situata po monitorohet nga afër nga Policia e Kosovës. Deri në momentin e raportimit nuk ishin regjistruar incidente të reja.
Ndërkohë, avokati Besnik R. Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në sheshe e rrugë për ta shprehur pakënaqësinë dhe zemërimin pas aktgjykimit, por duke i mbajtur protestat paqësore. Ai paralajmëroi se dhuna dhe thirrjet për anarki mund të ndikojnë në fatin e mëtejshëm të të akuzuarve që ndodhen në Hagë.
"Unë do të bëja thirrje çdo qytetari të Kosovës që ia mësyjnë shesheve, rrugëve, qyteteve brenda apo jashtë, për të protestuar e shprehur pakënaqësi, zemërim e jo vetëm, amani ju koftë, mbajeni paqësisht atë protestë, shprehni zemërimin, zemërimin e mllefin e çkado që keni, por kujdes nga dhuna, kujdes nga thirrjet që flasin për anarki, kujdes nga thirrjet që flasin për jodrejtësi, vetëm se dikush është pjesë e historisë, përshkak se rrezikojmë që edhe në rastet më tragjike të familjarëve të të akuzuarve akoma në Hagë që të mos i lëshojnë në Kosovë, përshkak se i konsiderojnë si mundësi e dështuar e kontrollit të situatës", tha ai në Kanal10.
Berisha theksoi se ish-krerët e UÇK-së prezumohen të pafajshëm dhe se qëndrimet publike të qytetarëve mund të kenë peshë për zhvillimet e mëtejshme në procesin gjyqësor.
"Mos të harrojmë se ata njerëz prezumohen të pafajshëm, veprimet apo mosveprimet tona, thirrjet tona në studio apo në rrugë kanë shumë rëndësi për fatin e tyre të mëtejmë në drejtësi."
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

