Dymbëdhjetë vjet pas raportit të Dick Martyt dhe tre vjet pas arrestimeve, gjykimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka kaluar nëpër dhjetëra dëshmitarë, mocione të rrëzuara dhe akuza për paanshmëri të trupit gjykues.

Në ditën e dytë të gjykimit para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimi, duke vepruar, sipas Prokurorisë, si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Procesi nisi dymbëdhjetë vjet pas miratimit në Këshillin e Evropës të raportit të eurodeputetit Dick Marty, mbi pretendimet e të cilit u themelua Gjykata Speciale, dhe tre vjet pasi katërshja u arrestua.
Në atë seancë, Krasniqi u ankua për trajtimin e tij në paraburgim, ndërsa Selimi tha se padrejtësia nuk po i bëhet vetëm atij, por edhe popullit shqiptar.
Ndërtimi i rastit nga Prokuroria u mbështet në dëshmitarë të thirrur në sallën e gjyqit, disa prej të cilëve dëshmuan me zë e figurë, kurse shumë të tjerë nën masa të rrepta mbrojtëse. Përveç dëshmive gojore, Prokuroria dorëzoi edhe dëshmi me shkrim, si dhe një numër të madh provash të administruara, shumë prej të cilave ishin siguruar nga strukturat shtetërore të Serbisë. Në listën e dëshmitarëve figuruan edhe figura të larta të UÇK-së. Dëshmuan shqiptarë e serbë: disa qëndruan prapa deklaratave të dhëna më herët, të tjerë u tërhoqën prej tyre. Mes atyre që u paraqitën në sallë ishte edhe Gjergj Dedaj, politikan për shumë vite.
Mbrojtja u përpoq t'i rrëzojë akuzat përmes një mocioni, i cili u hodh poshtë nga trupi gjykues. Po ashtu dëshmuan dy dëshmitare eksperte të mbrojtësit që përfaqëson viktimat në këtë proces. Ato thanë se kishin analizuar dosje viktimash të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme, se konstatimet e tyre varen nga deklaratat e vetë viktimave dhe se ekzaminime nuk kishin kryer. Sipas një raporti të tyre, refugjatët nga ish-Jugosllavia kanë pasur shkallë më të lartë të problemeve të shëndetit mendor sesa ata nga zona të tjera lufte.
Faza e mbrojtjes solli në sallë edhe ndërkombëtarë, të cilët morën autorizim nga shtetet përmes të cilave kishin shërbyer në Kosovë. Ata dëshmuan si dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit, ndërsa mbrojtja e Veselit dhe e Selimit hoqi dorë nga kjo e drejtë dhe mbrojtja e Krasniqit dorëzoi si prova vetëm disa dëshmi me shkrim.
James Rubin, ish-zëvendës i sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cilësoi padrejtësi kohën e gjatë që Thaçi dhe bashkëtë akuzuarit kanë kaluar në paraburgim dhe i quajti gjyqtarët e Hagës të njëanshëm, duke thënë se dukej sikur kishin vendosur herët kundër Thaçit. Gjenerali Wesley Clark dëshmoi se UÇK-ja ishte një organizatë pa strukturë të mirëfilltë të komandës dhe kontrollit, e cila autoritetin ua linte komandantëve të zonave. Ish-ambasadori Christopher Hill dhe ndërkombëtarë të tjerë iu bashkuan qëndrimeve për UÇK-në, strukturën e saj dhe rolin e Thaçit.
Konflikti mes mbrojtjes dhe gjykatës doli hapur me një letër konfidenciale dërguar gjyqtarëve në Hagë, në të cilën mbrojtja pretendoi se të drejtat e të akuzuarve për një gjykim të paanshëm dhe për një tribunal të pavarur janë shkelur. Ajo kërkoi që trupi gjykues të marrë masa për të garantuar paanshmërinë dhe për të kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore, duke pretenduar se trupi gjykues u kishte bërë pyetje sugjestive dëshmitarëve. Zyra për Informim e Gjykatës Speciale i pranoi këto pyetje, duke i arsyetuar si të bëra për ta mbajtur dëshmitarin të fokusuar.
Një dokument i Dhomave të Specializuara nxori në pah edhe një çështje tjetër: një ish-i punësuar në Njësinë e Paraburgimit ku mbahen katër të akuzuarit ishte paraqitur si ndihmësprokuror në seancë. Mbrojtja kërkoi informacione për punësimin e tij nën dyshimet për konflikt interesi, duke theksuar se ai kishte pasur kontakte të rregullta me të katërt, mundësi të mësonte shqetësimet e tyre të përditshme dhe qasje në informacione të privilegjuara.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

