Një 52-vjeçar që policia suedeze e shihte prej rreth 25 vjetësh si figurë strategjike të krimit të organizuar në Göteborg është dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burg. Gjykata urdhëroi konfiskimin e pasurive të tij në Suedi dhe në Kosovë, si dhe dëbimin e përjetshëm nga vendi.

Rreth një çerek shekulli pasi emri i tij u lidh për herë të parë me një shkëmbim zjarri në Göteborg, një 52-vjeçar i konsideruar si pjesë e niveleve të larta të krimit të organizuar në atë qytet suedez është dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burg. Vendimi i Gjykatës së Apelit nuk ndalet te burgu: sipas mediave suedeze, ai përfshin edhe konfiskimin e pasurive të tij në Suedi dhe në Kosovë.
Akuzat për të cilat u dënua janë vepra veçanërisht të rënda të narkotikëve dhe pastrim i rëndë parash. Sipas aktgjykimit, 52-vjeçari ka qenë i përfshirë në trajtimin e 12 kilogramëve kokainë dhe të paktën 300 kilogramëve kanabis. Pjesë e provave që çuan në dënim ishin materiale përgjimi nga shërbime të enkriptuara të komunikimit, mes tyre edhe EncroChat.
Lista e pasurive që i merren është e gjatë: dy prona të paluajtshme, një veturë luksoze e markës Audi, mjete financiare në banka, para të gatshme, ora dore dhe ari. Raportohet se gjykata ka vendosur gjithashtu masa sigurimi mbi pasuri me vlerë 6,1 milionë kurora suedeze. Nuk është bërë e ditur se cila pjesë e këtyre pasurive ndodhet në Kosovë.
Historia e tij në botën e krimit nis që në vitin 2001. Atëherë ai u arrestua pas një shkëmbimi zjarri me grupin kriminal Original Gangsters në zonën e plazhit Näset në Göteborg, në kohën kur bënte pjesë në të ashtuquajturën bandë Naserligan.
Vitet e fundit, 52-vjeçari e kishte paraqitur veten si biznesmen. Policia suedeze, megjithatë, vazhdonte ta trajtonte si person me rol strategjik në krimin e organizuar.
Gjykata vendosi edhe dëbimin e tij të përjetshëm nga Suedia, pavarësisht se ai ka dy fëmijë të mitur. Prokurorja e çështjes ka theksuar në deklaratat për shtypin suedez rëndësinë e konfiskimit të pasurive dhe të vendimit për dëbim.
I dënuari i mohon akuzat. Sipas raportimeve, ai planifikon ta ankimojë vendimin në Gjykatën Supreme të Suedisë, çka do të thotë se dënimi ende nuk është përfundimtar.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

