Para se të zgjidhet për herë të katërt kryeministër, Albin Kurti paraqiti në Kuvend një ekspoze me premtime nga rritja e pagave publike mbi 1,000 euro, dyfishimi i shtesave për fëmijë, një program prej 1 miliard eurosh për industrinë, deri te një kompani ajrore me kapital publik dhe investime deri në 500 milionë euro në Brezovicë.

Paga mesatare mbi 1,000 euro në sektorin publik, shtesa të dyfishuara për fëmijë dhe një investim që mund të arrijë 500 milionë euro në Brezovicë: këto janë disa nga premtimet me të cilat Albin Kurti u paraqit para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, para se të zgjidhet për herë të katërt kryeministër i vendit.
Në ekspozenë për mandatin e ri qeverisës, Kurti u krenua se Qeveria Kurti 3 ka ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Sipas tij, vendi ka shënuar rritjen ekonomike më të lartë në rajon, përkundër pandemisë, krizës energjetike dhe inflacionit. Bruto Produkti Vendor, tha ai, arriti vjet në 11 miliardë euro, ndërsa për këtë vit projektohet të kapë 12 miliardë euro.
Në planin e punësimit, Kurti tha se numri i të punësuarve gjatë qeverisjes së tij është ngritur nga 350 mijë në 430 mijë, me fokus tek rinia dhe gratë. Rritja e pagave në sektorin publik, sipas premtimit të tij, do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm derisa paga mesatare të kalojë 1,000 euro në muaj.
Pjesë e paketës sociale të paralajmëruar janë shtesat për fëmijë, të cilat Kurti premtoi t'i dyfishojë nga 45 në 90 euro për fëmijë për familjet me tre e më shumë fëmijë. Ai përmendi edhe shtesat për nënat e reja, lehonat, të cilat nga 1 korriku janë rritur në 500 euro në muaj për gjashtë muaj.
Për ekonominë, kryeministri paralajmëroi mbështetje të ndërmarrjeve të vogla e të mesme përmes bankave, me letërgaranci për pagesa për prodhuesit dhe eksportuesit, si dhe një program prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri, i cili do të garantojë kreditë për investimet në kapacitete të reja. Kurti tha se terminalet doganore i janë kthyer shtetit dhe se kanë nisur përgatitjet për modernizimin e tyre.
Në fushën fiskale, ai premtoi faturim elektronik ndërmjet bizneseve, mbikëqyrje të detyrimeve në kohë reale dhe rimbursim më të shpejtë të TVSH-së. Premtoi po ashtu heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian dhe një Ligj për çmimet tavan, që sipas tij do t'i mbrojë qytetarët dhe tregtarët nga abuzimi me marzhet.
Teknologjia zë një kapitull të veçantë të programit: zhvillimi i Valutës Digjitale të Kosovës, e mbështetur në teknologjinë e zinxhirit të blloqeve, ndërtimi i Kullës TIK në qendër të Prishtinës, Fondi i Inovacionit dhe 15 qendra inovacioni e inkubatorë teknologjikë të biznesit industrial nëpër komuna e universitete deri në fund të mandatit të ardhshëm. Në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, sipas Kurtit, do të zhvillohet Qendra e parë e Kosovës për hulumtim dhe zhvillim në fushën e energjisë, në bashkëpunim me partnerë gjermanë, akademinë dhe profesionistë të mërgatës.
Kurti paralajmëroi edhe themelimin brenda mandatit të një kompanie ajrore me kapital publik, në partneritet me kompani me përvojë nga vendi dhe bota, të shoqëruar me investime në shkollimin, trajnimin dhe certifikimin e specialistëve të aviacionit civil. Për transportin tokësor, ai përmendi programin qeveritar Anembanë, që synon rrjete të bashkuara transporti në tërë vendin, duke nisur nga trafiku urban në secilën komunë e më pas ai ndërurban, me një biletë mujore të përbashkët e të subvencionuar, me synim çmimin prej 10 eurosh.
Mandatin e ri, tha kryeministri, do ta nisin me projektin e madh të Brezovicës, me investime deri në 500 milionë euro që përfshijnë rrugët, akomodimin, pistat dhe një rrjet bashkëkohor teleferikësh. Në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna paralajmërohet Qendra turistike Dukagjini, me respektim të kërkesave për mbrojtjen e natyrës, ndërsa me grante planifikohet shndërrimi i staneve në bujtina ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharr. Investimet në infrastrukturë, bujqësi dhe mbrojtje të natyrës, sipas tij, do të gjallërojnë edhe Gollakun dhe Shalën e Bajgorës.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

