Pas më shumë se dy muajsh në paraburgim në Beograd, nën dyshimin serb për "Krime lufte", Osman Selmani u takua me familjen në pikën kufitare të Merdares. Lajmin e njoftoi vajza e tij.

Takimi ndodhi në pikën kufitare të Merdares. Pas më shumë se dy muajsh mbajtjeje në paraburgim në Beograd, shtetasi kosovar Osman Selmani u kthye te familja e tij, ndërsa lajmin për lirimin e bëri publik vajza, Florie Selmani, përmes një postimi në Facebook.
"Me shumë gëzim dhe falënderim ndaj Zotit, ju njoftojmë se sot, më 21.09.2026, babai ynë, Osman Selmani, është liruar nga paraburgimi në Beograd. Sapo u takuam me babanë tonë në pikën kufitare në Merdare. Pas kaq shumë ditësh ankthi, malli dhe pritjeje, ky është një nga momentet më të lumtura për familjen tonë", thuhet në njoftimin e familjes.
Në fund të njoftimit, familja Selmani falënderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë kësaj periudhe: "Faleminderit nga zemra të gjithëve që u lutët për të, na mbështetët dhe na qëndruat pranë."
Selmani u arrestua nga autoritetet serbe në korrik të këtij viti, në pikën kufitare të Mutivodës, nën dyshimin për "Krime lufte". Serbia pretendonte se më 14 qershor 1999, në lagjen "Sofalia" në Prishtinë, ai, në bashkëpunim me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), privoi nga jeta çiftin Vladimir dhe Persa Stanisavljeviq.
Familjarët e Selmanit e kishin kundërshtuar këtë version, duke thënë se në kohën kur pretendohet se është kryer krimi, e gjithë familja ndodhej në Maqedoni, pasi ishin dëbuar nga forcat serbe. Arsyet ligjore të lirimit dhe statusi i procedurës penale ndaj tij nuk janë sqaruar.
Rasti kishte kaluar edhe në kanalet diplomatike. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës kishte bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi kishte informuar menjëherë misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, si edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për arrestimin e Selmanit dhe për procedurat e iniciuara ndaj tij nga autoritetet serbe. Ministria e Jashtme në vazhdimësi u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

