Një anije e vogël me 12 persona në bord u nis nga jugu i Anglisë me një mision që të gjithë e dinë sa i rrezikshëm është: prej vitit 2010, Izraeli ka ndaluar ose sulmuar çdo flotë që ka provuar të thyejë bllokadën e Gazës.

Të dielën, në kalatën Hannover Quay të Bristolit, një grup mbështetësish përcolli anijen "Kate" në një udhëtim me përfundim të pasigurt. Në bord janë dymbëdhjetë persona, përfshirë kapitenin — aktivistë të Flotës së Lirisë (Freedom Flotilla) që synojnë të thyejnë bllokadën izraelite të Gazës dhe të dërgojnë ndihma.
Nisja u shndërrua në një tubim solidariteti. Mes atyre që përshëndetën dymbëdhjetë aktivistët ishin Swee Ang, mjeke dhe themeluese e organizatës Ndihma Mjekësore për Palestinezët; infermierja uellsiane Leigh Evans, e cila në qershor 2025 u pa në pamje të përhapura gjerësisht në internet duke u gjunjëzuar para ushtarëve egjiptianë, teksa u lutej ta linin të kalonte për të çuar ndihma në Gaza; si dhe David Miller, profesor që fitoi së fundmi një betejë ligjore kundër Universitetit të Bristolit lidhur me pikëpamjet e tij anti-sioniste.
Kapiteni i anijes, marinari irlandez Fiacc O Brolchain, e njeh nga afër ashpërsinë e këtyre misioneve. Ai u ndalua nga forcat izraelite më herët këtë vit gjatë një misioni të mëparshëm dhe tregoi se, gjatë marrjes në pyetje, iu konfiskuan aparatet e dëgjimit. Sipas tij, u përsëriste vazhdimisht ushtarëve izraelitë: "Nuk ju dëgjoj; më morët aparatet e dëgjimit."
Historia e këtyre përpjekjeve është një zinxhir ndalimesh. Që nga viti 2010, Izraeli ka ndaluar ose sulmuar çdo flotë që ka tentuar të kalojë bllokadën e Gazës, përfshirë edhe në ujëra ndërkombëtare.
Frank Romano, anëtar i Koalicionit të Flotës së Lirisë dhe jurist ndërkombëtar që ka përfaqësuar çështje palestineze para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha se që nga tetori 2023 forcat izraelite kanë ndaluar dhe konfiskuar më shumë se 75 anije e barka solidariteti. Ai ka ndërmarrë beteja ligjore për t'i rikthyer ato, por ka arritur të rimarrë vetëm dy anije. Vetë Romano është pronar i anijes "Handala" — e emërtuar sipas një personazhi të krijuar nga artisti i ndjerë palestinez Naji al-Ali — e cila u ndalua dhe u konfiskua në korrik 2025.
Flota Global Sumud, që sipas Romanos ka kushtuar deri tani 24 milionë dollarë dhe përbëhet nga dhjetëra barka të nisura në valë të ndryshme, e zhvilloi misionin e saj të parë vitin e kaluar dhe një tjetër shumë më të madh në prill.
Mes atyre që iu bashkuan lëvizjes ishte edhe aktivistja suedeze Greta Thunberg, e ndaluar nga Izraeli kur anija e tyre, "Alma", u kap në tetor. Ajo është ndër personat që kanë pretenduar keqtrajtim fizik dhe psikologjik gjatë ndalimit. Izraeli i ka mohuar akuzat.
Një dëshmi tjetër vjen nga aktivisti irlandez Colm Byrne, i cili niset sërish pas pjesëmarrjeve në përpjekje të mëparshme. Ai tregoi se në prill ndodhej më shumë se 1.000 kilometra (620 milje) larg Gazës kur forcat izraelite ndërhynë. Sipas tij, anëtarët e flotës u goditën me shqelma, u rrahën dhe u detyruan të qëndronin në poza të dhimbshme e poshtëruese; ai vetë pësoi një dëmtim në shpatull. Byrne shtoi se aktivistët u mbajtën katër orë në gjunjë me duart e lidhura pas shpine para se të transferoheshin në burg, ku detyroheshin të ecnin me kokën ulur, përndryshe rrezikonin të goditeshin me shuplakë.
Megjithatë, ai theksoi se, ndonëse u ndie i poshtëruar, keqtrajtimi që përjetuan nuk krahasohet me përmasat e abuzimit që vuajnë të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

