Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se hetimet tregojnë që bashkëpiloti, i cili theri kolegun e tij në fluturimin Dubai-Tel Aviv, kishte kaluar një «indoktrinim islamist radikal» dhe me shumë gjasë synonte ta rrëzonte avionin me mbi 170 njerëz në bord.

Bashkëpiloti që theri me thikë kolegun e tij dhe tentoi të merrte kontrollin e një avioni të flydubai drejt Tel Avivit kishte kaluar një «indoktrinim islamist radikal». Kështu deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke iu referuar hetimeve të deritanishme.
Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se dukej «shumë e mundshme» që sulmuesi, të cilin ai e identifikoi si shtetas të Omanit, «do ta rrëzonte avionin». Sipas tij, pasi pasagjerët dhe ekuipazhi e mposhtën dhe e lidhën, burri po u bërtiste anëtarëve të ekuipazhit «më vrisni, më vrisni», «kështu që është e qartë se ishte vetëvrasës, kjo nuk është në diskutim».
Kryeministri izraelit e lidhi këtë sjellje me të dhënat për të kaluarën e të dyshuarit: «Dhe me gjithë pasagjerët atje brenda, dhe nëse e kombinon këtë me atë që sapo ju thashë për prirjet islamiste, atë radikalizim që u gjet në të kaluarën e tij, mendoj se ... kjo do të na japë një të dhënë mjaft të mirë, por sërish, unë nuk nxjerr ende përfundime përfundimtare, por këto janë indikacionet që kemi tani.» I pyetur nëse kishte shenja për përfshirje të Iranit, ai u përgjigj: «Është shumë herët për të thënë.»
Netanyahu tha gjithashtu se sulmuesi u arrestua në Arabinë Saudite dhe pritet të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Tri hetime, një juridiksion i diskutueshëm
Agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve raporton se në vend kanë nisur hetimet për të përcaktuar «nëse incidenti ishte i lidhur me ndonjë veprimtari apo qëllim terrorist». Bashkëpiloti po merret aktualisht në pyetje në Arabinë Saudite, ku avioni bëri ulje emergjente. Megjithatë, zyrtarët emiratas pretendojnë se juridiksioni u takon atyre, pasi avioni në të cilin ndodhi sulmi është i regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe fluturon nën flamurin e tyre.
Paralelisht zhvillohet edhe një hetim izraelit, i udhëhequr nga agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad. Gjetjet paraprake sugjerojnë se i dyshuari synonte ta përplaste avionin, ka deklaruar një burim i sigurisë izraelite. Hetuesit kanë intervistuar pasagjerët pasi ata mbërritën në Tel Aviv, për të rindërtuar atë që ndodhi në bord. Edhe flydubai po kryen hetimin e vet të brendshëm.
Piloti i plagosur, «hero» për dy kryeministra
Piloti i goditur me thikë, kapiteni indian Smit Machchhar, u cilësua «hero» si nga Netanyahu, ashtu edhe nga kryeministri i Indisë, Narendra Modi. Ambasadori indian në Emiratet e Bashkuara Arabe, Deepak Mittal, e vizitoi atë të enjten në spital. Misioni indian bëri të ditur në rrjetet sociale se kapiteni është «në gjendje të mirë shëndetësore dhe po shërohet mirë».
Minutat në ajër
Fluturimi FZ1073, me më shumë se 170 njerëz në bord, u nis të mërkurën nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait në orën 03:05 GMT (07:05 sipas orës lokale), me destinacion Aeroportin Ben Gurion. Rreth dy orë pas nisjes, faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24 regjistroi një rënie lartësie prej më shumë se 17 000 këmbësh (5 200 metra). Pak minuta më vonë, avioni dërgoi një kod emergjence.
Pasi hyri shkurtimisht në hapësirën ajrore të Jordanisë, rreth orës 05:40 avioni u kthye në Arabinë Saudite, nisi një zbritje manuale dhe u ul pa probleme në Aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të vendit. Pasagjerët dhe ekuipazhi kishin arritur ta mposhtnin sulmuesin dhe të rimerrnin kontrollin e kabinës.
Pasojat për lidhjet ajrore
Flydubai ka pezulluar fluturimet mes Dubait dhe Tel Avivit gjatë kohës që kryen hetimin. Ministria izraelite e Transportit tha se pezullimi është në përputhje me udhëzimin e Netanyahut dhe i ka dërguar një kërkesë urgjente Etihad Airlines për të shtuar fluturimet mes Abu Dabit dhe Tel Avivit. Kompanitë izraelite El Al, Israir dhe Arkia njoftuan se kanë gati plane për fluturime shpëtimi nga Dubai duke filluar nga e premtja, për të kthyer pasagjerët e bllokuar.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

