Një 15-vjeçar dhe një 17-vjeçar janë ndër 11 personat e privuar nga liria brenda një dite në Maqedoninë e Veriut, nën dyshimin për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Nëntë prej tyre nuk e kishin dhënë fare provimin e vozitjes.

Dy të mitur, njëri vetëm 15 vjeç, u kapën në timon pa asnjë provim vozitjeje të dhënë. Ata janë pjesë e grupit prej 11 personash që policia në Maqedoninë e Veriut i ka privuar nga liria brenda 24 orëve të fundit, në lokacione të ndryshme të vendit, nën dyshimin për drejtim të pakujdesshëm të automjetit.
Nëntë nga këta persona janë ndaluar duke drejtuar automjete pa e dhënë fare provimin e vozitjes. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, mes tyre janë V.G. (64) nga fshati Moshticë, Gj.B. (60) nga Karasllari i Poshtëm, B.M. (49) nga fshati Negotinë, një 15-vjeçar nga fshati Siriçinë, O.A. (27) nga fshati Peshtalevë, N.N. (43) nga Gjevgjelia, një 17-vjeçar, si dhe M.J. (23) dhe S.A. (24), të tre nga Shkupi.
Rasti i S.A. është dyfish i rëndë: përveç se nuk e kishte dhënë provimin e vozitjes, policia ka konstatuar se ai ishte edhe nën ndikimin e alkoolit.
Në një rast të veçantë, nga liria është privuar M.G. (64) nga Dellçeva, për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit. Policia ka ndaluar gjithashtu E.A. (23) nga fshati Gjermë, i cili, sipas MPB-së, e drejtonte automjetin me shpejtësi dyfish më të madhe se ajo e lejuar.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të pasojnë kallëzimet penale përkatëse. Nga policia u bëhet apel drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë pa patentë të fituar përmes provimit, të mos ulen në timon nën ndikimin e alkoolit dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në rrugë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

