Projektligji që prek Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar duhet kaluar në një filtër të veçantë kushtetues e ndërkombëtar, vlerëson Ministria e Drejtësisë. Në qendër të shqetësimit është Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës.

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk duhet të kalojnë në Kuvend pa një vlerësim të mëtejshëm e të specializuar. Ky është qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës, e cila e ka shprehur atë në opinionin e saj për projektligjin.
Pika kryesore e shqetësimit, sipas Ministrisë, është përputhshmëria e ndryshimeve me Kushtetutën e Kosovës, veçanërisht me Amendamentin nr. 24, si dhe me instrumentet dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit. Këto aspekte, thotë Ministria, kërkojnë shqyrtim të veçantë.
Në opinion çështja përshkruhet si komplekse. Arsyeja, sipas Ministrisë, është natyra dhe rëndësia e nismës legjislative, në të cilën ndërthuren një sërë rregullimesh juridike të natyrave të ndryshme.
Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se, përmes Qeverisë, mbetet e gatshme të japë kontributin e saj profesional gjatë diskutimeve dhe gjatë procedurës së mëtejshme të shqyrtimit të projektligjit në Kuvend.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

