Një vajzë nëntëvjeçare doli nga ora e muzikës në Prishtinë dhe, sipas deklarimit të saj, u ndoq nga një burrë i moshuar që e kapi dhe e puthi pa dëshirë. Një ditë më vonë, një 67-vjeçar u ndalua dhe u dërgua me urdhër të prokurores kujdestare në Klinikën e Psikiatrisë, pastaj në Qendrën e Mbajtjes.

Dalja nga Shkolla e Muzikës "Prenk Jakova" në Prishtinë u kthye më 14 shtator në fillimin e një rasti që po hetohet nën dyshimin për vepër penale ndaj një fëmije. Një vajzë nëntëvjeçare ka deklaruar se, sapo kishte dalë nga shkolla, një burrë i moshuar nisi ta ndiqte.
Deklarimin e saj e mitura e ka dhënë në praninë e prindit dhe para përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale. Sipas rrëfimit të saj, burri fillimisht e pyeti për emrin, ndërsa më pas dyshohet se e kapi dhe e puthi pa dëshirën e saj.
Rasti u raportua po atë ditë dhe veprimet hetimore nisën menjëherë. Hetuesit kanë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, në të cilat i dyshuari shihet duke e përcjellë vajzën. Në konsultim me Prokurorinë është vendosur që çështja të procedohet nën dyshimet për veprën penale "Ngacmimi seksual".
Pas një dite hetimesh dhe veprimesh operative, më 15 shtator Policia ka identifikuar dhe ndaluar një burrë rreth 67 vjeç, i identifikuar me inicialet A. M. Me urdhër të prokurores kujdestare, ai u dërgua fillimisht për kontroll në Klinikën e Psikiatrisë dhe, pas ekzaminimit, në Qendrën e Mbajtjes, ku ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rezultati i ekzaminimit psikiatrik dhe hapi i radhës i prokurorisë nuk janë bërë të ditura. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.
Për shkak se viktima është fëmijë, DOSJA X nuk publikon asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e saj. Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

