Një ndjekje pas disa personave të dyshuar në Skenderaj përfundoi me dy policë të lënduar dhe me makinën e Policisë të përplasur në një shtyllë elektrike. Vetura e të dyshuarve u gjet e dëmtuar disa kilometra më larg, por ata kishin ikur.

Një ndjekje policore në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Llaushë të Skenderajt përfundoi me veturën e Policisë të përplasur në një shtyllë të energjisë elektrike dhe me të dyshuarit në arrati.
Aksidenti ndodhi rreth orës 01:00, ndërsa policët ishin në gjurmët e disa personave të dyshuar. Sipas raportimit të KALLXO.com, dy policë kanë pësuar lëndime të lehta pas goditjes së veturës në shtyllë.
Ndjekja nuk u ndal aty. Disa kilometra më tutje u gjet edhe vetura me të cilën lëviznin të dyshuarit, edhe ajo e dëmtuar, por personat që ndiqeshin kishin arritur të arratiseshin. Nuk dihet ende pse po ndiqeshin ata dhe as kush janë.
Një burrë në Gjakovë u sulmua fizikisht në shtëpinë e tij nga gruaja me të cilën bashkëjeton, sipas policisë për shkak të xhelozisë. E dyshuara u arrestua, por u lirua pas intervistimit me urdhër të prokurorit.

