Ekonomia e Kosovës u zgjerua me 4.06 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, me ndërtimtarinë dhe shërbimet financiare si motorët kryesorë të rritjes.

Ndërtimtaria dhe sektori financiar janë sektorët që e shtynë më shumë përpara ekonominë e Kosovës në pranverë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Bruto Produkti Vendor shënoi një rritje reale prej 4.06 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025.
Llogaritjet janë bërë si sipas aktiviteteve ekonomike, ashtu edhe sipas metodës së shpenzimeve.
Në krye të listës sipas aktiviteteve ekonomike qëndrojnë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me një rritje prej 15,67 për qind, të ndjekura nga ndërtimtaria me 15,35 për qind. Informacioni dhe komunikimi u rrit me 5,04 për qind, ndërsa aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, së bashku me shërbimet administrative dhe mbështetëse, me 3,99 për qind.
Grupi që përfshin tregtinë me shumicë dhe me pakicë, riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, transportin dhe magazinimin, si dhe aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit ushqimor, shënoi rritje prej 3,48 për qind, po aq sa edhe industria përpunuese. Bujqësia, pyjet dhe peshkimi u rritën me 2,65 për qind, ndërsa industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, si dhe aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe të rehabilitimit, me 2,60 për qind.
Rritjet më të përmbajtura u regjistruan në arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vetë dhe shërbime të tjera, me 1,29 për qind, në administratën publike dhe mbrojtjen, sigurimin social të detyrueshëm, arsimin, shëndetësinë dhe aktivitetet e punës sociale, me 0,83 për qind, si dhe në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me 0,81 për qind.
Sipas metodës së shpenzimeve, komponenti me ecurinë më të fortë ishte formimi i bruto kapitalit, i rritur me 11,91 për qind. Importi i mallrave dhe shërbimeve u rrit me 9,83 për qind, ndërsa eksporti me 6,82 për qind. Shpenzimet e konsumit final të Qeverisë shënuan rritje prej 7,02 për qind, kurse shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe të institucioneve joprofitabile në shërbim të ekonomive shtëpiake (NPISH) u rritën me 4,40 për qind.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

