Ndërsa Bullgaria shton masat e sigurisë në bazën ajrore Bezmer, NATO paralajmëron se është gati të përballojë çdo kërcënim, në reagim ndaj raportit se Teherani ka shqyrtuar sulme kundër objektivave ushtarakë amerikanë në kontinent.

NATO deklaroi se është e përgatitur të përballojë kërcënimet e mundshme pas raportimeve se Irani ka shqyrtuar sulme ndaj objektivave ushtarakë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. Deklarata erdhi ndërsa Bullgaria ka shtuar masat e sigurisë në bazën ajrore Bezmer.
"NATO është e gatshme të përballojë çdo kërcënim dhe do të bëjë gjithmonë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët", tha të mërkurën një zyrtar i aleancës ushtarake, i cili nuk u identifikua.
I njëjti zyrtar shtoi se NATO ka rrëzuar këtë vit katër raketa balistike që Irani i lëshoi drejt Turqisë, duke e paraqitur këtë si dëshmi se "qëndrimi mbrojtës i frikësimit është i fortë dhe efektiv" ndaj kërcënimeve nga jashtë.
Reagimi erdhi si përgjigje ndaj një artikulli të gazetës Financial Times, sipas të cilit Irani ka marrë në shqyrtim kryerjen e sulmeve kundër objekteve ushtarake amerikane në disa vende të Evropës. Disa shtete në Evropën juglindore kanë instalime ushtarake që mbështesin operacionet e SHBA-së.
Në korrik, parlamenti i Bullgarisë miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer si pikë karburanti për avionët ushtarakë amerikanë dhe lejoi vendosjen e rreth 250 ushtarakëve amerikanë atje deri në tetor.
Ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Ivan Demerdzhiev, tha për agjencinë shtetërore të lajmeve BTA se vendi kishte marrë "të gjitha masat e mundshme" në bazë, në bashkërendim me Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas tij, masat u hartuan për një nivel kërcënimi më të lartë se sa tregojnë aktualisht shërbimet e sigurisë.
"Po e monitorojmë vazhdimisht situatën dhe zhvillimet dhe do të vazhdojmë të marrim masa paraprake shumë më të gjera dhe intensive se sa niveli i kërcënimit që tregon informacioni i disponueshëm në këtë moment", tha Demerdzhiev.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, bisedoi me homologen e tij bullgare menjëherë pasi SHBA-së iu dha leja për të përdorur bazën, duke e paralajmëruar se "çdo palë që merr pjesë në çfarëdo mënyre në kryerjen e një sulmi ushtarak kundër Iranit patjetër do të duhet të pranojë përgjegjësinë për pasojat".
Që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në shkurt, një bazë ajrore britanike në Qipro është vendndodhja e vetme në Evropë e goditur nga një dron. Irani ndërkohë ka nisur sulme hakmarrëse ndaj bazave dhe objektivave amerikanë në Lindjen e Mesme dhe ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se çdo shtet që ndihmon veprimet ushtarake kundër Teheranit rrezikon të bëhet vetë objektiv.
Në qershor, SHBA dhe Irani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për t'i dhënë fund armiqësive, i cili vendosi një afat për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme që do ta mbyllte luftën. Ai afat skadoi të hënën. Aktualisht nuk po zhvillohen negociata.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

