Disa lagje të kryeqytetit ukrainas u goditën gjatë natës, ndërsa në Odesa u dëmtua një pallat banimi me 19 kate. Në Kiev u plagosën 12 persona, nëntë prej tyre përfunduan në spital.

Sirenat e alarmit të kuq dhe thirrja për t'u futur në strehimore paraprinë një varg shpërthimesh të fuqishme mbi Kiev. Një gazetar i Agjencisë France-Presse numëroi rreth dhjetë shpërthime të forta në kryeqytetin ukrainas, pasi administrata ushtarake e qytetit kishte njoftuar për një kërcënim me goditje raketore.
Bilanci u bë publik gjatë natës nga kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, i cili shkroi në Telegram se në kryeqytet numëroheshin 12 të plagosur si pasojë e sulmit. Mes tyre janë dy fëmijë, 10 dhe 12 vjeç, ndërsa nëntë të plagosur u dërguan në spital. Në një bilanc të parë, Klitschko kishte njoftuar se një pallat banimi dhe disa ndërtesa të tjera ishin goditur nga copëza predhash.
Shërbimi Shtetëror i Situatave të Emergjencës (DSNS) bëri të ditur se mes objekteve të prekura ishte edhe një institucion i arsimit të lartë: fasada dhe dritaret e ndërtesës katërkatëshe pësuan dëme.
Sulmet nuk u kufizuan në kryeqytet. Në Odesa, qytetin bregdetar në Detin e Zi që goditet rregullisht, një pallat banimi me 19 kate u dëmtua nga një sulm i natës, sipas administratës ushtarake vendore.
Ndërkohë, në Uashington, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të mërkurën një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe aleatëve të saj për rolin e tyre në luftën kundër Ukrainës. Teksti, i miratuar më parë nga Senati dhe i mbështetur nga presidenti republikan Donald Trump, kaloi me 262 vota pro dhe 159 kundër dhe konsiderohet veprimi i parë i rëndësishëm i Kongresit amerikan kundër Moskës që nga kthimi i Trumpit në pushtet.
Ligji parashikon për herë të parë nga ana amerikane masa kundër flotës fantazmë të Rusisë dhe godet gjithashtu sektorët rus të energjisë dhe të mbrojtjes, duke u drejtuar edhe kundër presidentit rus Vladimir Putin e zyrtarëve të tjerë të lartë. Ai i jep presidentit amerikan kompetencën të vendosë tarifa doganore deri në 100 për qind ndaj pesë vendeve kryesore importuese të gazit dhe naftës ruse, mes tyre Kina dhe India. Teksti mban emrin e krijuesit të tij kryesor, senatorit republikan Lindsey Graham, i vdekur në korrik, i njohur si mbrojtës i ashpër i Ukrainës dhe kritik i vendosur i Rusisë.
Në Francë, debati për mbështetjen e Kievit u ashpërsua po të mërkurën. Kandidatja e Rassemblement National (RN) për presidencën, Marine Le Pen, deklaroi në televizionin LCI se Parisi nuk mund ta ndihmojë më Ukrainën në të njëjtin nivel si aktualisht, për shkak të gjendjes së rënduar të financave publike franceze. Më parë, nënkryetari i RN-së, Louis Aliot, kishte sugjeruar mbylljen e rubinetit ndaj Kievit, çka shkaktoi një valë të fortë kritikash nga kandidatë të qendrës dhe të majtës.
Kundërshtarët e Le Pen, e cila prin në sondazhe për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, e kritikojnë rregullisht për pritjen e saj në Kremlin gjatë fushatës presidenciale të vitit 2017, për qëndrime të vlerësuara si pajtuese ndaj Rusisë dhe për një hua të marrë nga një bankë ruse në vitet 2010. Vetë ajo kërkon që nga agresioni rus kundër Ukrainës një konferencë të madhe për paqen, që të çojë në një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
Në brendësi të Rusisë, që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës në vitin 2022, është në zhvillim një rishpërndarje e gjerë e pronës: më së shpeshti, asetet e sipërmarrësve që vlerësohen si jobesnikë konfiskohen nga shteti dhe u rishiten besnikëve të zotit të Kremlinit.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

