Pak metra larg Gjykatës Speciale, në sheshin Malieveld, qindra shqiptarë nga Kosova dhe nga diaspora e kaluan mbrëmjen në pritje të aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca nis nesër në orën 10:00.

Në sheshin Malieveld të Hagës, pak metra larg objektit të Gjykatës Speciale, mbrëmja e fundit para verdiktit u kalua nën qiell të hapur. Qindra shqiptarë, të ardhur nga Kosova dhe nga vende të ndryshme të Evropës, u mblodhën aty në mbështetje të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve nesër shpallet aktgjykimi i shkallës së parë.
Aktiviteti u pagëzua "Ora e Pritjes" dhe shënon momentet e fundit para seancës që nis nga ora 10:00, në të cilën gjykatësit do të japin vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pas një procesi të gjatë gjyqësor në Hagë.
Në kryeqytetin holandez kanë mbërritur edhe mbështetës e përfaqësues politikë. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ndodhet në Hagë për të qenë i pranishëm në ditën e shpalljes së vendimit, publikoi një video nga vendngjarja në rrjetet sociale, të shoqëruar me mbishkrimin: "Ora e fundit e pritjes në Hagë".
Ndërkohë, në Prishtinë, mbrëmja e së martës solli një nga reagimet më të drejtpërdrejta politike para verdiktit. Ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, i ftuar në emisionin "Pressing" të T7 një ditë para shpalljes së vendimit, tha se në bankën e të akuzuarve nesër do të jetë edhe personi që e shpalli pavarësinë e Kosovës.
"Nesër para bankës së të akuzuarve është personi që e ka shpallur pavarësinë. Pse? Në një moment ai njeri ka vendosur me u fut një lufte që nuk ka besuar që nuk ka besuar që mund ta bëjë realitet që mund ta largojë Serbinë nga Kosova. Unë i kam pas 27 vjet, Hashimi 29, Kadria 29, me Rexhën bashkëmoshatarë", deklaroi Limaj, duke kujtuar moshat e tyre në kohën e luftës.
Verdikti pritet të përcillet me interes të madh në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe në mesin e familjarëve, mbështetësve dhe bashkëpunëtorëve të katër ish-krerëve të UÇK-së. Të katër mbeten të akuzuar deri në vendimin e gjykatës, i cili do të bëhet publik nesër në seancën e mëngjesit.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

