Pasi Qeveria e dërgoi në Kuvend ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, protestuesit në Prishtinë thonë se vendimi tani është në duart e deputetëve. Në shesh doli edhe një prani e veçantë: djemtë e Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.

"Votone Ligjin!" Kjo ishte thirrja që mbizotëroi sot në sheshin qendror të Prishtinës, ku protestuesit u mblodhën për natën e 18-të me radhë kundër vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së.
Pas më shumë se dy javësh tubimesh, mesazhi nga sheshi ka ndryshuar adresë. Protestuesit e përshëndetën vendimin e Qeverisë për ta dërguar në Kuvend ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por theksuan se topi tani është te Kuvendi dhe te deputetët.
Në tubimin e sotëm morën pjesë edhe djemtë e Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, dy nga ish-krerët e UÇK-së të cilët lidhen me vendimin e Hagës që ka nxitur protestat.
Presioni ndaj ligjvënësve erdhi edhe nga "Jo në emrin tim", me një kërkesë të drejtpërdrejtë: "Jo në emrin tim, deputetëve: Seancë të jashtëzakonshme, Ligji për Specialen të shqyrtohet në Kuvend".
Ndërkohë, ndryshimi i ligjit ka vënë në lëvizje edhe takimet politike. Kurti, pasi u takua me Abdixhikun, priti në zyrë Bedri Hamzën. Hamza, duke dalë nga takimi në PDK, deklaroi: "Ligji duhet me u aprovu, po shkoj në takim te Kurti". Dy orë pasi kishte nisur, takimi Kurti-Hamza ende vazhdonte, pa u bërë i ditur ndonjë përfundim.
Jo të gjithë e shohin votimin në Kuvend si zgjidhje përfundimtare. Koci, duke iu drejtuar Grudës, paralajmëroi: "Mos u ngut, miratimi i ndryshimeve në Kuvend nuk garanton se ato nuk shqyrtohen në Hagë".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

