As i ftohti nuk i ndali: për të njëmbëdhjetën mbrëmje radhazi, qytetarët u mblodhën në Prishtinë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Të hënën, vendimi zhvendoset në sallën e Kuvendit.

Pankarta, flamuj dhe bluza me mesazhe mbështetjeje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbushën sërish sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, në natën e 11-të të protestës "Jo në emrin tim". Pavarësisht temperaturave të ulëta, shumë qytetarë ishin tashmë në pikën e grumbullimit, ndërsa të tjerë vazhdonin t'i afroheshin sheshit.
Protestuesit kundërshtojnë aktgjykimin dënues që Gjykata Speciale në Hagë shqiptoi më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Që nga ajo ditë, tubimi mbahet çdo mbrëmje në kryeqytet.
Thirrja për mbrëmjen e sotme erdhi nga organizatori i protestave, i cili u kërkoi qytetarëve të mblidheshin nga ora 21:00: "DITA 11. Edhe sonte, në ora 21:00, Sheshi ‘Skënderbeu’. Nuk ndalemi. Nuk heshtim. Nuk harrojmë. Bashkë për UÇK-në! Shihemi sonte!"
Në netët e mëparshme, nga podiumi i sheshit kanë folur qytetarë, familjarë dhe figura publike që e kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale. Pakënaqësia ka dalë edhe jashtë Kosovës: më herët gjatë ditës, protesta u organizuan edhe në Gjermani dhe në Finlandë.
Presioni i rrugës përkon me një hap institucional. Të hënën pritet të mblidhet Kuvendi i Republikës së Kosovës, ku deputetët do të shqyrtojnë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

