Presidenti amerikan Donald Tramp planifikon të ulet të martën e ardhshme me liderët e gjashtë vendeve të Gjirit, në kulisat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa bisedimet për armëpushim me Iranin dukshëm kanë ngecur dhe atakimet ndaj infrastrukturës energjetike po tundin tregjet e naftës.

Një tubacion i mbyllur në Arabinë Saudite, nafta mbi 100 dollarë për fuçi dhe bisedime armëpushimi që nuk lëvizin: me këtë sfond, presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, pritet të takohet të martën e ardhshme me liderët e vendeve të Gjirit, në kulisat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, për të diskutuar hapat e mëtejshëm të luftës me Iranin. Planin e takimit e bëri publik të enjten portali Axios.
Në tavolinë pritet të ulen liderët e gjashtë vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit: Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini, Kuvajti dhe Omani. Lista e të ftuarve mund të zgjerohet edhe me lidera të tjerë arabë dhe muslimanë. Departamenti amerikan i Shtetit i dërgoi ftesat e para të mërkurën, sipas personave me njohuri për çështjen të cituar nga Axios.
Fokusi i bisedimeve, sipas të njëjtit raport, do të jenë propozimet amerikane për një strategji të pasluftës. Tramp dhe ekipi i tij i lartë punojnë mbi një plan për "ditën e nesërme", i cili nuk pritet të finalizohet para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA në nëntor. Çfarë do të kërkojë konkretisht Uashingtoni nga vendet e Gjirit apo nga Irani në këtë aranzhim të pasluftës, mbetet e papërcaktuar.
Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dëshiron një takim me Trampin në New York, por asnjë takim i tillë nuk është caktuar deri tani, sipas një burimi izraelit të cituar në raportin e Axios.
Të mërkurën, Tramp pohoi se Irani ka kontaktuar drejtpërdrejt Uashingtonin dhe dëshiron një marrëveshje, duke e përshkruar gjendjen e luftës si pranë përfundimit. "Ata duan të bëjnë një marrëveshje, dhe do të shohim se si funksionon kjo", u tha gazetarëve sapo zbriti në Karolinën e Veriut.
Presioni ekonomik mbi vendet e Gjirit po rritet. Arabia Saudite mbylli tubacionin Lindje-Perëndim, rrjetin strategjik që transporton naftë të papërpunuar nga bregu lindor i mbretërisë drejt portit të Janbuit në Detin e Kuq, pas dëmeve të shkaktuara nga një atak me dron. Vendet e Gjirit kanë përballuar në ditët e fundit atakime në rritje nga Irani dhe nga militantët hutitë të aleancuar me Iranin, të cilët kanë çrregulluar eksportet energjetike.
Tregjet reaguan të mërkurën: çmimet e naftës së papërpunuar zvogëluan rritjet e mëparshme pasi Arabia Saudite raportohet se organizoi ngarkesa shtesë përmes portit Sohar në Oman, me transferime nga anija në anije, gjë që lehtësoi frikën për një hendek të zgjatur në furnizim. Nafta Brent u lehtësua në 105,8 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate shënoi rënie prej 0,22 për qind, në 102,14 dollarë.
Të mërkurën, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, përsëriti thirrjet për deeskalim në rajon, duke kërkuar diplomaci dhe rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Për Michael Feller, strategun kryesor në Geopolitical Strategy, Irani mund të jetë i gatshëm të negociojë pas zgjedhjeve të mesmandatit amerikan, por vazhdimi i mospërfshirjes në diplomaci rrezikon t'ia zgjasë konfliktin. "Irani mund të jetë i gatshëm të bëjë një marrëveshje pas zgjedhjeve të mesmandatit. Nëse jo, lufta mund të vazhdojë deri në fund të vitit 2028, e ndoshta edhe më gjatë", thotë Feller. Një lehtësim, sipas tij, do të ishin riparimet e tubacionit Lindje-Perëndim, ndonëse rezervat në terminalet e eksportit do të shterin nëse linja nuk kthehet në punë brenda disa ditësh.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

