Rritja e çmimeve të karburantit, e shtyrë nga lufta në Iran, ka nxjerrë njerëzit në rrugë në tre kontinente. Në Siri protestat janë më të madhja prej rënies së regjimit të Asadit dy vjet më parë.

Gomat që digjen mbi autostradën midis Hasakës dhe Deir ez-Zorit, rrugë të bllokuara në Guatemalë, biznesmenë dhe punëtorë që marshojnë drejt banesës së kryeministrit portugez. Tre vende, një shkak i përbashkët: çmimi i karburantit, i cili nuk pushon së rituri ndërsa lufta në Iran e shtyn lart kostot e energjisë.
Javën e kaluar nafta u ngjit sërish mbi pragun e 100 dollarëve për fuçi, pas goditjeve të reja amerikane ndaj tankerëve iranianë të naftës në Gjirin Persik dhe pas rindezjes së luftimeve në Jemen, që kërcënojnë transportin detar në Ngushticën e Bab al-Mandabit. Për Shtetet e Bashkuara, pasojat kanë ardhur në formën e çmimeve të larta të karburantit dhe paralajmërimeve të hapura për familjet që varen nga nafta për ngrohje gjatë dimrit: analistët parashikojnë një kërcim prej 30 për qind të çmimeve gjatë luftës me Iranin.
Vala më e madhe e reagimit ka shpërthyer në Siri. Një rritje e mprehtë e çmimeve gjatë fundjavës ndezi protesta në mbarë vendin, demonstratat më të gjera prej rënies së regjimit të Asadit dy vjet më parë. Qeveria siriane e çoi përkohësisht çmimin e naftës në 175 paund sirianë (1,43 dollarë) litri, një rritje prej rreth 40 për qind, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA, ndërsa çmimin e gazit e rriti me mbi 25 për qind.
Ministria siriane e Energjisë e ka shpjeguar vendimin me rritjen e çmimeve globale të karburantit dhe me punimet e vazhdueshme të mirëmbajtjes në rafinerinë më të madhe të vendit, atë të Banias, që kanë shtuar varësinë nga importet.
Dhjetëra protesta kanë kaluar paqësisht, por të dielën demonstruesit bllokuan autostradën Hasaka-Deir ez-Zor, dogjën goma dhe ndalën tankerë naftë, sipas ACLED, një organizatë globale që monitoron konfliktet. Sipas Muaz Al Abdullah, analist për Sirinë në ACLED, pakënaqësia ka kaluar tashmë kufijtë e një çështjeje çmimesh: "Disponueshmëria e karburantit, rritja e çmimeve, rënia e fuqisë blerëse dhe shërbimet e dobëta janë të gjitha arsye që kanë akumuluar pakënaqësinë publike, megjithëse kërkesat po zhvendosen edhe drejt anulimit të vendimeve dhe largimit të zyrtarëve, përfshirë ministrin e energjisë, duke treguar se ankesat ekonomike po shndërrohen në ankesa kundër qeverisë".
Në një protestë në Alepo të dielën, pamjet e filmuara nga agjencia Reuters shfaqin njerëz që ndezin goma dhe thërrasin slogane kundër vendimit të qeverisë për shtimin e çmimeve. "Të gjithë ata që janë të pranishëm këtu duan një ulje të çmimeve të naftës. Ne nuk duam paga më të larta, duam (karburant) më të lirë", i tha Reutersit protestuesi sirian Jaser Salim.
Një tjetër protestues, Basam al-Ali, e drejtoi zemërimin nga shpenzimet publike: "Ne nuk duam rrethrrotullime, çdo ditë ata (qeveria) ndërtojnë një rrethrrotullim të ri që kushton një milion mijë dollarë, dhe qendra tregtare dhe nuk e di çfarë ... Populli ju ka qenë me ju, është edhe tani me ju dhe do të mbetet me ju, por kjo do t'i bëjë gjërat të shpërthejnë".
Në anën tjetër të botës, në Guatemalë, kamionistë të organizuar dhe protestues të tjerë bllokuan javën e kaluar autostrada dhe shkaktuan dëme në pjesë të ndryshme të vendit, në kundërshtim me rritjen e çmimeve të karburantit, sipas Associated Press. Pamje të mediave lokale tregojnë njerëz që marshojnë paqësisht nëpër Qytetin e Guatemalës, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga qeveria.
Kongresi i Guatemalës po punon për një projektligj që do të vendoste një tavan për çmimet e karburantit deri në fund të vitit. Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve AGN, projekti është ende në procesin legjislativ, ndërsa, në rast miratimi, importuesve të karburantit do t'u paguhej një subvencion qeveritar sa herë që çmimet do të kalonin tavanin e vendosur. Presidenti i Kongresit, Luis Contreras Colindres, deklaroi të hënën: "Kjo është një çështje që duhet zgjidhur si vend. Ekzekutivi, legjislativi dhe të gjithë të tjerët e përfshirë duhet ta zgjidhin. Njerëzit nuk mund t'i paguajnë këto çmime dhe të mos ndiejnë efektin në financat e tyre". Ai e përshkroi peshën e karburantit për ekonominë me një fjali: "Nafta është motori që lëviz ekonominë e këtij vendi".
Edhe në Evropë presioni ka marrë formën e rrugës. Të shtunën, në qytetin bregdetar të Espinjos në Portugali, u zhvilluan protesta kundër rritjes së çmimeve të gazit dhe kostos së jetesës, ndërsa drejtues të biznesit vendor dhe punëtorë marshuan drejt banesës së kryeministrit.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

