Pas dy javësh me çmim të karburantit të ngujuar në 222 lekë për litër, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi rikthimin e Bordit të Transparencës, mekanizmit të vetëm që, sipas saj, mundëson uljen e akcizës.

Çmimi i karburantit në Shqipëri ka qëndruar për më shumë se dy javë në nivelin e 222 lekëve për litër, dhe pikërisht ky prag e ka shtyrë qeverinë shqiptare drejt një vendimi që deri vonë ishte në pikëpyetje: rikthimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve.
Vendimin e bëri publik ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën. Sipas saj, ky mekanizëm do të shërbejë për uljen e akcizës dhe, si rrjedhojë, për uljen e çmimeve në treg, të cilat kanë mbetur në nivele të larta.
"Sot, morëm një vendim për të riaktivizuar Bordin e Transparencës për çmimet e karburanteve. Deri vonë ishim të pavendosur për rithemelimin e tij, por duke qenë se çmimi ka mbetur në 222 lekë për litër për më shumë se dy javë, ne kishim vendosur më parë se sa herë që ai të kalojë 220 lekë, do të aktivizonim një mekanizëm për uljen e akcizës në mënyrë që çmimet e karburanteve të mund të ulen. Mekanizmi i vetëm për uljen e akcizës ishte rithemelimi i Bordit të Transparencës", deklaroi Ibrahimaj.
Pragu prej 220 lekësh, i përcaktuar me një vendim të mëparshëm, ishte pra shkas i drejtpërdrejtë i aktivizimit. Nuk është bërë e ditur ende nga kur hyn në fuqi riaktivizimi i bordit, as sa do të jetë ulja konkrete e akcizës.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

