Arabia Saudite ka mbyllur tubacionin Lindje-Perëndim që anashkalon Ngushticën e Hormuzit, pasi u dëmtua nga dronë të nisur nga Iraku. Nafta u ngjit sërish, me Brentin në 107 dollarë për fuçi.

Tregu i naftës u ndez edhe një herë të martën. Kontratat e së ardhmes për naftën Brent, standardi ndërkombëtar, me dorëzim në nëntor u rritën me 1.25 për qind duke arritur 107.00 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate për tetor shënoi rritje prej 1.27 për qind, në 102.68 dollarë për fuçi.
Shtysa erdhi nga një goditje e drejtpërdrejtë në infrastrukturën energjetike. Arabia Saudite ka mbyllur tubacionin e saj jetik Lindje-Perëndim, atë që lejon eksportin e naftës duke anashkaluar Ngushticën e Hormuzit, pasi u dëmtua nga dronë të nisur nga territori i Irakut. Mbyllja rëndon edhe më shumë furnizimin në një treg tashmë të ngushtë. Nuk është bërë e ditur se sa i madh është dëmi, as kur pritet të rihapet.
Paralelisht, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen njoftoi se 13 civilë u plagosën të hënën, pasi forcat hutite nisën një valë sulmesh me raketa balistike dhe dronë drejt territorit saudit.
Në ngushticë, Teherani ka shtuar presionin. Ushtria iraniane deklaroi se rrëzoi një dron të avancuar amerikan mbi Ngushticën e Hormuzit, pas një sërë operacionesh kundër sistemeve detare amerikane pa pilot në Gji. Të dielën, presidenti amerikan Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund ta vazhdojnë fushatën kundër Iranit dhe të marrin kontrollin e naftës së tij.
Një përplasje e hapur mes dy palëve shpërtheu edhe rreth fatit të tankerit El Gaia, me flamur të Panamasë. Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendoi se anija goditi një minë detare në Ngushticën e Hormuzit, pretendim që u hodh poshtë nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane. "Tankeri i naftës me flamur të Panamasë El Gaia u godit nga një raketë iraniane muajin e kaluar dhe u la jashtë funksionit", deklaroi CENTCOM. "Pretendimi i rremë i IRGC-së është edhe një shembull tjetër i gënjeshtrave dhe i përpjekjeve të tyre për frikësim, ndërsa përpiqen të pengojnë anijet tregtare në ngushticë."
Pasojat ekonomike po llogariten tashmë përtej tabelës së çmimeve. Komal Sri-Kumar, president i Sri-Kumar Global Strategies, tha në emisionin "Squawk Box Asia" të CNBC-së se inflacioni do të marrë hov, duke pasur parasysh sulmet ndaj tubacioneve të naftës dhe mbylljen e tubacionit saudit lindje-perëndim. "Përveç kësaj, ka një luftë tarifash e cila po përshpejtohet mjaft, dhe kjo do të ushtrojë presion rritës mbi çmimet dhe rrjedhimisht mbi yield-et e obligacioneve", shtoi ai.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

