Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, thotë se paratë që u ndahen komunave janë gati dyfishuar që nga viti 2021 dhe do të kalojnë kufirin e 900 milionë eurove vitin e ardhshëm.

Buxheti që shteti u ndan komunave në Kosovë do të kalojë 900 milionë euro vitin e ardhshëm, ka njoftuar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Sipas Muratit, javën që shkoi Ministria e Financave ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, dokumentin që përcakton kufijtë buxhetorë për secilën komunë. Ministri lidhi rritjen me ecurinë e të hyrave në vitet e fundit.
"Javën që shkoi Ministria e Financave ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, në të cilën përcaktohen kufijtë buxhetorë për secilën komunë. Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave. Nga 546 milionë euro sa e kishim gjetur në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat do të shkojë në 907 milionë euro në vitin 2027", ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas shifrave që ai paraqiti, ndarja për komunat rritet nga 546 milionë euro në vitin 2021 në 907 milionë euro në vitin 2027, një rritje prej rreth dy të tretash brenda gjashtë viteve.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

